SHBA,rënie drastike e PBB-së

Prodhimi i Brendshëm Bruto i tremujorit të fundit të vitit 2008-të në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rënë me 3.8 përqind, që është vlera më e ulët e këtyre 26-të viteve të fundit. Rënia më e shpejtë është shënuar midis muajve gusht dhe tetor me 0.5 përqind dhe është gjithashtu hera e parë që Shtetet e Bashkuara pësojnë rënie në dy tremujore radhazi që nga viti 1991. Të dhënat më të fundit të Departamentit të Tregtisë vijnë pas kalimit të paketës së ndihmës në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, të propozuar nga Presidenti Obama. Ndërkohë që norma e papunësisë në SHBA gjatë vitit 2008, ka kapur vlerat më të larta që nga Lufta e Dytë Botërore. Performanca e ekonomisë amerikane mes muajve tetor dhe dhjetor të 2008-ës ishte më e keqja që nga tremujori i parë i vitit 1982. Edhe pse shifra 3.8 nuk është aq sa e kishin parashikuar analistët me rreth 5.4 përqind, sipas këtyre të fundit ekonomia do të vazhdojë të jetë e zymtë. Të dhënat tregojnë gjithashtu se shpenzimet për të mirat dhe shërbimet si makinat, dhe orenditë shtëpiake ranë me 22.4 përqind gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar.Duke parë vështirësit që po kalojnë prodhuesit e makinave në SHBA, kjo është rënia më e madhe që nga viti 1987. Shitjet produkteve ushqimore dhe veshmbathjeve ishin 7.1 përqind më të ulëta, që shënon rënien më të madhe që nga 1950-a. Departamenti amerikan i Tregtisë ka njoftuar se gjatë gjithë vitit 2008, ekonomia e Shteteve të Bashkuara është rritur vetëm 1.3 përqind, 2 përqind më pak se më 2007-ën.