E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, sanksione Sirisë, Iranit, Libisë e Bjellorusisë

Siria

Ishte një këshill ministrash i sanksioneve. Për katër shtete njëherësh vendosën ministrat që t'i ashpërsojnë sanksionet: Siria, Irani, Libia dhe Bjellorusia. Në rastin e Sirisë, BE në fillim e pati përjashtuar nga sanksionet presidentin Bashar al Asad. Por shpresa se ai do të ndryshonte qëndrim nuk u plotësua, kështu u shpreh ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle:  

"Presidentit sirian i ofruan një urë, që ai vetë nuk do të preket nga sanksionet po të kthehet tek politika e dialogut dhe po ta ndërpresë represionin kundër popullit të tij. Në këtë urë ai nuk deshi të kalojë. Dhe prandaj ne duhet t'i zgjerojmë tani sanksionet, sepse nëse dikush e shtyp në këtë mënyrë popullin e tij, atëherë kjo nuk mund të mbetet pa përgjigje në Bashkimin Evropian."

Asadi dhe një grup personash të familjes dhe të rrethit të tij udhëheqës nuk lejohet të udhëtojnë më në BE, pasuritë e tyre në Evropë bllokohen.

Irani

Për sa i përket Iranit, tani rreth 100 sipërmarrje nuk lejohet të bëjnë me biznes me BE. Me këtë Brukseli synon ta detyrojë Iranin të kthehet në tryezën e negociatave, për të folur për politikën atomike iraniane.

Bjellorusia

Për Bjellorusinë, ndaj 13 vetëve rreth presidentit Alexander Lukashenko u vendos ndalim udhëtimi. Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt u shpreh sapo mbërriti në Bruksel për gjendjen atje.

"Në Minsk, i cili gjendet gjithsesi në kontinentin evropian ne ndeshemi edhe më tej me procese politike dhe dënime politike, të cilat janë krejtësisht të papranueshme."

Libia

Në trajtimin ndaj Libisë, BE është përkundrazi i përçarë dhe nuk di ç'të bëjë. Disa shtete e mbështesin angazhimin ushtarak të NATO-s, të tjera jo. Dhe megjithë luftimet për javë të tëra, nuk duket në horizont ndonjë fitore e kryengritësve kundër trupave të kryetarit të shtetit Muamar Gadafi. Gjithsesi, përfaqësuesja për politikën e jashtme të BE, Katherine Ashton hapi të dielën një zyrë të BE në kështjellën e kryengritësve në Bengazi dhe garantoi atje për mbështetje afatgjatë.

"Unë ndodhem këtu, për të thënë qartë se mbështetja e BE nuk do të jetë vetëm afatshkurtër, por e gjerë dhe e thellë. Ne duam t'ju mbështesim jo vetëm tani, por edhe thellë në të ardhmen, për aq kohë sa të duan njerëzit të na kenë në këtë vend."

Vend të gjerë zuri në Bruksel edhe debati për Lindjen e Afërt. Pas dakordimit midis fraksioneve palestineze Hamas dhe Fatah dhe kur presidenti i SHBA, Barak Obama kërkon një zgjidhje izraelito-palestineze me dy shtete në kufirin e 1967, siç e kërkon prej vitesh Bashkimi Evropian, shumë evropianë shohin një shans unikal për negociata të reja. Më tej u vendos që BE të mbështesë me 200 milionë euro për ndërtimin e strukturave shtetërore dhe luftimin e varfërisë shtetin e ri të Sudanit të Jugut./DW-Start/

                                                                                             2011-05-24 11:02
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›