E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, takim në 10 maj për krizën greke



Presidenti i Bashkimit Europian Herman Van Rompuy ka deklaruar përpara mediave në Tokio të mërkurën se negociatat për çështjen e deficitit buxhetor të Greqisë po vazhdojnë dhe nuk ka dyshim se ristrukturimi i këtij sektori është i nevojshëm. "Si president i Këshillit te Europes, unë konfirmoj se do të thërras një takim të vendeve të zonës euro , me krerë shtetesh dhe qeverish rreth datës 10 maj", tha Van Rompuy gjatë një konference për shtyp në Tokyo, ku ai ndodhet për një vizitë 4 ditore. "Qëllimi është evitimi i planit që bashkon Bankën Qendrore Europiane, Eurogrupin, FMN-në dhe qeverinë geke", shprehet kreu i BE-së. Sipas një zëdhënësi, kjo deklaratë kërkon të ritheksojë faktin se bisedimet për ndihmën po vazhdojnë dhe janë në rrugën e duhur.
Van Rompuy ka shtuar se krerët e shteteve dhe të qeverive të zonës euro, duhet të vendosin për çështjen e ndihmave". Nga ana tjetër, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus Kan, deklaroi se Greqia duhet ta pranojë se vënia e rregullit në financat e saj do të jetë "e vështirë dhe e dhimbshme".
Më herët kryeministri grek, Jorgos Papandreu deklaroi se Greqia ka nevojë për kohë dhe qetësi që të ndërmarrë reforma të thella.
Kryeministri grek tha se duhet "një ndryshim rrënjësor" në Greqi për ta shndërruar në të besueshme ekonominë. Më tej ai pohoi se periudha që Greqia po kalon aktualisht "është më e vështira në dhjetëvjeçarët e fundit dhe është vendimtare për të ardhmen e vendit".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›