Francë: Sarkozi mbërriti për vizitë në Kinë
Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, ka mbërritur në Kinë, për një vizitë treditore, gjatë së cilës pritet që të bëjë presion ndaj Kinës, për të mbështetur sanksionet e mëtejshme kundër Iranit. Sarkozi ndodhet në qytetin perëndimor kinez, Hsi-an, ndërsa më vonë gjatë ditës, niset për në Pekin, për takim me presidentin, Hu Jintao.
Franca dhe Kina janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kështu që pritet që të dy presidentët të diskutojnë për Iranin.
Fuqitë perëndimore aktualisht po bëjnë presion për sanksione të reja kundër Teheranit, për shkak të refuzimit për ta ndalur procesin e pasurimit të uraniumit.
Por, Kina dhe Rusia, që po ashtu është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, kanë hezituar t'i mbështesin sanksionet e reja.