E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE të miratojë në prill projektin për vizat

12/03/2010 Deklarata e deputetes së Parlamentit Evropian, Tanja Fajon

Eurodeputetja sllovene njihet si mbështetëse e Shqipërisë

Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, i ka kërkuar dje Bashkimit Evropian të miratojë muajin e ardhshëm projektin në të cilin do t’i jepet një shtysë e rëndësishme procesit të liberalizmit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në një prononcim për shtyp, Fajon ka theksuar se një masë e tillë është shumë e rëndësishme si për këto vende, ashtu dhe për mbajtjen e premtimeve nga ana Bashkimit Evropian ndaj këtyre vendeve. Fajon, e cila njihet për mbështetjen ndaj heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë, ka deklaruar se në muajin prill institucionet përkatëse të BR-së duhet të marrin një vendim pozitiv për procesin e liberalizmit të vizave. Sipas saj, Brukseli zyrtar duhet të mënjanojë çdo pengesë për liberalizimin e vizave me dy vendet e rajonit. Ai duhet të vlerësojë mirë vendimmarrjen dhe të jetë i kujdesshëm ndaj pengesave të panevojshme në lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe boshnjakë. Eurodeputetja sllovene prej kohësh është angazhuar në mbështetje të liberalizmit të vizave mes BE-së dhe Shqipërisë e Bosnjë-Hercegovinës. Rreth një javë më parë, me krijimin e një situate të pakëndshme në vendet e BE-së, si rrjedhojë e dyndjeve të qytetarëve serbë dhe maqedonas drejt bllokut pas heqjes së vizave, Fajon kërkoi që të mos ketë ndikim ndaj heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. “Ajo çfarë ka ndodhur me azilkërkuesit nga Maqedonia e Serbia, në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtojë liberalizimin e vizave këtë vit për Shqipërinë dhe Bosnjën”, tha ajo pak ditë më parë. Deklarata e Fajon vjen në një moment tepër të rëndësishëm për fatin e heqjes së vizave. Ndërkohë edhe politika shqiptare, përmes një rezolute konfirmon mbështetjen e të gjitha forcave politike për procesin e liberalizimit të vizave dhe shpreh objektivin e udhëtimit pa viza në vendet e hapësirës “Shengen”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›