E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Kutitë nuk hapen

12/03/2010 Komisioni i Ligjeve vijon diskutimet në parim mbi projektligjin e socialistëve

Hysi: Kushtetuta na jep të drejtën të hetojmë. Naçi: Duam sekretarin e komisionit

Komisioni parlamentar i Ligjeve edhe në mbledhjen e tretë të tij mbeti në kuadrin e diskutimeve të secilës palë, pa i hyrë diskutimit nen për nen të projektligjit të Partisë Socialiste. Mungesa e një konsensusi mbi amendamentet e PS-së, ka detyruar palët të vijojnë diskutimet javën e ardhshme. Ndërkohë që mazhoranca kishte parashikuar të depozitonte pasditen e djeshme amendamentet e saj ndaj projektit. Sipas diskutimeve të anëtarëve të saj në komision, e djathta u deklarua hapur dhe prerë kundër hapjes së kutive. Sipas tyre, Kuvendi nuk mund të hetojë gjithçka pa vendosur kufijtë e hetimit, aq më tepër për çështje ndaj të cilave ka një vendim gjykate. “Është absolutisht e rëndësishme që projektligji të riformulohet duke vendosur në të kufijtë e hetimit parlamentar që ka vendosur Gjykata Kushtetuese. Ndaj dhe unë konstatoj se implementimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në këtë draft është zero. Është zero, implementimi imperativ i Gjykatës Kushtetuese mbi kufizimin e objektit të hetimit, duke e ndaluar Parlamentin të hetojë në gjithçka dhe mbi gjithçka”, theksoi deputeti i PD-së, Eduard Halimi në diskutimin e tij. Duke iu referuar kërkesës së socialistëve për të hapur kutitë dhe rinumëruar votat në to, ai e cilësoi këtë kërkesë antikushtetuese. “Kjo që ju kërkoni është antikushtetuese. Ju nuk mund të hetoni mbi gjithçka dhe në gjithçka, ju nuk mund të merrni çdo provë që dëshironi, madje dhe ato që i kanë shqyrtuar një herë gjykatat. Ju nuk mund të na kërkoni neve që t’ju lejojmë të bëni rivlerësimin dhe rinumërimin, kur këtë kërkesë jua ka rrëzuar gjykata me vendim të formës së prerë”, tha Halimi. Po kaq i drejtpërdrejtë ka qenë deputeti tjetër i PD-së, Edi Paloka. Ai tha se raporti i OSBE-së, i përmendur në komision nga opozita për të mbrojtur akuzat e tyre për manipulim zgjedhjesh, duke qenë konstatues për problemet, do të thotë që nuk është e nevojshme të hetohet. “Të ulemi në bazë të këtij raporti dhe të përpiqemi për të rregulluar gjërat. Deri tani nuk kemi gjë në vijë, sepse kutitë nuk hapen”, tha ai.

Kundërshtitë e PS-së

Deputetët e PS-së akuzuan mazhorancën për mohim të së drejtës që asaj ia jep Kushtetuta për të hetuar. Deputetja Vasilika Hysi theksoi se me këtë qëndrim mazhoranca del hapur se është kundër parimit të transparencës së zgjedhjeve, element themelor i demokracisë. “Me këtë qëndrim ju i kufizoni opozitës të drejtën ekskluzive që i ka dhënë Kushtetuta dhe me cilësimet që thoni ju, e bëni ngritjen e komisionit kuvendor të panevojshëm”, tha deputetja e selisë rozë. Duke iu referuar argumentit të demokratëve për pamundësinë e kontrollimi të vendimeve të institucioneve të tjera, Hysi tha se KQZ-ja i nënshtrohet kontrollit kushtetues. “Sipas Kodit Zgjedhor, ai raporton në Kuvendin e Shqipërisë, të paktën një herë në vit. Për rrjedhojë, ky organ është i detyruar t’i nënshtrohet kontrollit kushtetues dhe rezultatet e punës së tij nuk janë hermetike”, tha deputetja Hysi.

Kërkesa e LSI-së

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naçi, është deklaruar parimisht dakord me ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, por vetëm nëse ai ngrihet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë diskutimit të tij në komisionin e Ligjeve, ai vuri si kusht të mbështetjes së tij ndaj këtij komisioni pikërisht zgjedhjen nga opozita të sekretarit të komisionit nga forca politike që ai përfaqëson. “Nëse do të kërkoni shumicën në komisionin hetimor, ne duam sekretarin”, tha Naçi, ndërsa e cilësoi hipokrizi projektligjin e socialistëve për komisionet hetimore.

Projektligji

Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit, duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve.

Axhenda

Komisioni i Ligjeve do të mbyllë javën e ardhshme procedurat e shqyrtimit dhe të vendimmarrjes ndaj projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për komisionet hetimore”, për t’ia kaluar seancës, e cila do ta votojë më 18 mars. Sipas konsensusit mes kryetarit të komisionit, Ilir Rusmali dhe deputetit të PS-së, Fatmir Xhafa, u vendos vijimi i diskutimeve në parim ditën e hënë dhe diskutimi nen për nen i projektit në mbledhjen e ditës së martë. Mbyllja e procedurave në këtë afat është llogaritur në respektim të Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit komisionet mbyllin punën 48 orë para seancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›