E Diel, 1 Nëntor 2026

BEDËR, “Sfidat dhe zhvillimi i cilësisë në arsimin e lartë”

Në konferencë studiues dhe akademikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Turqia dhe vende  të tjera  kanë referuar mbi tema që lidhen me sfidat e arsimit të lartë dhe zhvillimin e cilësisë në këtë fushë.  Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve akredituese në vend,  akademikë, studiues si dhe të ftuar të tjerë.

Kryetari i Konferencës, njëkohësisht dhe përgjegjës Dekan i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit Dr. Ahmet Ecirli ( Exhirli), në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu bindjen se organizimi i kësaj konference, në Shqipëri, është një mundësi për studiuesit dhe akademikët që vijnë nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë,  që të shkëmbejnë ide dhe eksperienca “ Synimi i konferencës  është kontributi në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, dhe diskutimi i sfidave që shtrohen për zgjidhje në këtë fushë. Jam i bindur se kumtesat e pjesëmarrësve në këtë konferencë do të jenë një burim i vlefshëm për tu marrë në konsideratë si rekomandime  për përmirësimin e cilësisë akademike, zhvillimit të infrastrukturës dhe implementimit të teknologjisë në fushën e arsimit të lartë”, u shpreh, Prof. Exhirli.

Ndërkohë në fjalën e  tij para të pranishmëve , rektori i Universitetit Hëna e Plotë BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana theksoi se “Kjo konference organizohet në një moment ku me gjithë problematikat dhe vështirësitë në arsimin e lartë, ligjvënësit dhe akademikët duhet që të përpiqen të krijojnë një sistem arsimor  me objektiva të qarta që duhet ti përshtaten tregut të punës dhe konkurrues në aspektin e cilësisë. Të gjithë jemi koshientë se ky proces nuk është shume i lehtë për tu realizuar pasi  ai përfshin shumë aktorë dhe kërkon një kohë të caktuar. Që ky proces të realizohet me sukses është e nevojshme që drejtuesit e institucioneve të arsimit të  lartë, bota akademike, studentët, prindërit dhe politika,  të marrin një rol aktiv në të.”.
Ai u ndal gjithashtu edhe në rëndësinë që ka fokusimi i aktivitetit të universiteteve në tre shtylla kryesore siç është , procesi mësimdhënës, kërkimi shkencor dhe kontributi në shoqëri.

Në ceremoninë e hapjes përshëndetën Gjithashtu edhe Rektori i Universitetit “ Aleksandër Moisiu” Durrës,  Prof. Dr.  Mit’hat Mema, i cili vuri theksin në rëndësinë që ka bashkëpunimi mes universiteteve publike dhe atyre private për të çuar përpara kërkimin shkencor dhe shkëmbimin e dijeve në funksion të rritjes së cilësisë.

Punimet e konferencës i përshëndetën gjithashtu edhe  Rektori i Universitetit “Suleyman Shah” në Turqi, Prof. Dr. Huseyin Ekiz, Prof. Dr. Bardhyl Musai, Kryetari i Këshillit të Akreditimit dhe Rektori i Universitetit Europian të Tiranës Prof. Assoc. Dr. Tonin Gjuraj. Gjatë sesioneve të konferencës do të referohen rreth 60 kumtesa nga pjesëmarrësit. /Start/

                                                                                             2012-06-22 14:41
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›