E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha inauguron një HEC në Gramsh

Kjo vepër është një investim privat tërësisht shqiptar, me vlerë 8 milion euro dhe ka një  fuqi të instaluar prej 12 MW dhe një prodhim vjetor të energjie elektrike 40.000 kWh.
 
Kryeministri përgëzoi investitorin dhe ekipin e inxhinierëve dhe teknikëve për realizimin e kësaj vepre në standardet më të mira, për ndërtimin e së cilës janë hapur 3 kilometra tunel në masiv shkëmbor, me diametër 6.5 metra.
 
Duke përmendur potencialet e mëdha ujore që ka kjo zonë, Berisha tha se ajo do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme të prodhimit të energjisë ujore. HEC-i i Tervolit është vetëm një ndër 14 hidrocentralet që janë kontraktuar të ndërtohen në rrethin e Gramshit dhe vepra më e madhe e energjisë ujore, kaskada e Devollit.
 
Duke sjellë si shembull suksesin e HEC-it të Tervolit, një nismë krejtësisht lokale, Kryeministri Berisha i drejtoi një thirrje publike komuniteteve lokale: Të projektojnë kudo ku është e mundur, ndërtimin e punimeve të vogla energjetike. Ndërsa i siguroi se qeveria do të garantojë blerjen me çmim tregu të të gjithë energjisë së tepërt, që atyre nuk u duhet për komunitetin e tyre.
 
Gjithashtu, HEC-i Tervolit, tha Kryeministri, është shembulli më i mirë kundër zërave skeptikëve ndaj vendimit të qeverisë për dhënien me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve, me qëllim shfrytëzimin e të gjitha potencialeve ujore të vendit dhe shndërrimin e tyre në vlerë energjetike. Vendim, të cilin Kryeministri e konsideroi se po dëshmohet një sukses në rritje.
 
Më pas, Kryeministri u takua me komunitetin lokal, të cilët i garantoi se qeveria do të qëndrojë fuqishëm pas çdo iniciative të tyre për zhvillimin e zonës.
 
“Gramshi nuk ka shumë tokë, por e ka ndër më pjellorët në Shqipëri dhe ne do ta shndërrojmë atë në një nga epiqendrat e fuqishme të frutave, ullinjve dhe arrorëve. Është rreth i krijuar natyralisht për arrorët,  me ujëra të shumta. Dhe mbi të gjitha, do të bëhet urbanizimi i plotë i tij, do të ecim drejt Skraparit e Korçës. Me rrugën e re që po ndërtohet distanca me Elbasanin shkurtohet dhjetë kilometra,” tha Kryeministri. /Start/

                                                                                             2012-06-22 14:33
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›