BEETHOVEN DHE SIMFONIA No. 9
Poeti austriak Franz Grillparzer mbajti një fjalim në funeralin e Beethoven-it në nderim të njeriut që “trashëgoi dhe pasuroi famën e pavdekshme të Handel e Bach dhe Haydn e Mozart... I tillë ishte ai, i tillë vdiq, i tillë ai do të jetojë përgjithmonë”.
Të Nëntë Simfonitë e Beethoven-it janë më të mëdhatë e artit muzikor botëror. Simfonia No. 5, No. 6 dhe No. 9 janë piedestali simfonik i tij, vlerësim të cilin e shpreh kritika muzikore dhe muzikologjia botërore.
Beethoven ishte një kompozitor i madh, universal, i një dimensioni të paparë, ishte një promete i muzikës siç e quante vetë Bizet. Për veprën e pavdekshme të Beethoven-it kanë shkruar shumë autorë, muzikologë, kritikë, kompozitorë dhe dirigjentë. Mund të përmendim M. Solomon, W. Furtwangler, L. Lockwood, W. Kinderman, të cilët me analizat e tyre vënë në dukje me hollësi vlerat e mëdha të krijimeve të Beethoven-it, vlera që shquhen jo vetëm në 9 simfonitë, por edhe te i gjithë thesari i muzikës instrumentale simfonike ku inkludohen 16 kuartetet e harqeve, 32 sonatat për piano, 5 piano koncertet, violinë koncerti op. 61, triple koncerti për piano, violinë, çelo dhe orkestër, Fantazia Korale op. 80, opera “Fidelio” etj. Vetëm po të përmendim kuartetet e fundit të tij, pa piano koncertet dhe violinë koncertin op. 61, siç janë Kuarteti për Harqet në Do diesis op. 131 me shtatë kohët, më i integruari që nga 1816, si dhe Kuartetin në Si bemol op. 130 i përshkruar prej më shumë stileve në 50 minutat sesa bëri Wagneri për 50 vite (Edmund Morris) dhe me një fugë mahnitëse, tregojnë qartë madhështinë e veprës së Beethoven-it. Nga 12 simfonitë më të zgjedhura, si më të mirat në botë, janë 5 që i takojnë fondit simfonik të Beethoven-it dhe konkretisht simfonia No. 3, 5, 6, 7 dhe Simfonia No. 9 "Korale".
Haydn dhe Mozart kanë shkruar shumë më tepër simfoni, por simfonitë e Beethoven-it mbeten madhështore për nga kompleksiteti, orkestracioni i një niveli të lartë teknik, si dhe dimensionit simfonik më të madh e brilant.
Them pa hezitim se Herbert von Karajan është i vetmi dirigjent që i ka njohur më mirë se asnjë tjetër të Nëntë Simfonitë e Beethoven-it.
Simfonia e Nëntë është një nga kompozimet më të shquara të Beethoven-it, që ka pasur një impakt më të gjerë dhe një shtrirje më të madhe interpretimi. Georges Bizet tha në kohën e vet: "Simfonia e Nëntë Korale është pika kulminante e artit tonë", ndërsa Richard Wagner i bëri një vlerësim të madh dhe, ndërmjet të tjerash, pasi e dirigjoi vetë shkroi: “Simfonia e Nëntë është një vepër me vlera madhështore”. Kjo simfoni ndikoi shumë në punën e Wagner-it, i cili i bëri një rimodelim operës me anë të linjës simfonike brenda muzikë-dramës. Si askush tjetër, Beethoven-i transformoi simfoninë duke ia bërë të ditur gjithë botës, ndryshoi strukturën e saj, kombinoi muzikën instrumentale me zërin duke iu larguar të gjitha rregullave të klasicizmit. Ashtu si në të katër kohët e sonatës "Hammerklavier", e cila ishte konceptuar njëkohësisht me Simfoninë e Nëntë, Beethoven-i përsëri teston forcën e tij kundër modelit klasik për të sjellë modelin dinamik dhe ekspresiv jashtë çdo limiti në një provë finale perfekte. Kështu, Beethoven-i bëri një koherencë të mrekullueshme dhe një integrim struktural të thellë në muzikë. Robert Schumann, që e adhuronte aq shumë Beethoven-in, si "zot", e quajti Simfoninë e Nëntë një eksperiencë monumentale. Simfonia e Nëntë ishte në një kontekst a term që i referohet optimizmit Shilerian për një frymëzim të njerëzimit drejt një lirie dhe gëzimi në jetë. Vendimi i Beethoven-it për të konkretizuar një punim muzikor të madh ishte një mesazh shprese për të ardhmen që ai do t'ia dërgonte mbarë njerëzimit. Beethoven-i gjithmonë pëlqente ta quante Simfoninë e Nëntë me titull të zgjatur dhe konkretisht simfoni me finale kori mbi "Ode to Joy" (Oda e Gëzimit) të Shilerit. Sonata formë e kohës së parë, skerco tradicionale, dy kompleks variacionesh, një rekapitulacion eruptiv i orkestrës të padëgjuar më parë, e bënë Simfoninë No. 9 prototip të simfonive të shekullit të 19, të simfonizmit romantik dhe më të famshmen nga të gjitha.
Beethoven-i kishte parasysh në ndërtimin e Simfonisë No. 9 op. 125 dy pikësynime: njëri ishte që të shkruante një simfoni të re në Re minor në stilin e tij të periudhës së tretë, ndërsa tjetri ishte që të krijonte një si kantatë me “Ode”-n e Shilerit. Të dy këto përfundimisht Beethoven-i i shkriu në një projekt, i cili u bë realitet më 1823, pra mbasi kishte përfunduar Missa Solemnis. Fantazia Korale op. 80, e cila u performua në të njëjtin koncert katër orësh bashkë me Simfoninë No. 5 dhe No. 6 më 1808 në Theater an der Wien, na kujton finalen e Simfonisë No. 9. Kjo fantazi apo koncert për piano dhe kor i parapriu Beethoven-it për modelin melodik dhe harmoninë e frazës së parë të temës "Ode to Joy", si dhe për një kombinim të orkestrës dhe korit me një kompleks variacionesh.
Simfonia e Nëntë ishte në stilin e fantazisë së tij për piano dhe kor, por në një shkallë më të gjerë, me kor dhe solistë vokalë, të bazuar mbi fjalët e së famshmes të Shilerit "An die Freude".
Premiera e kësaj simfonie u bë më 7 maj 1824 në Vjenë. Performancën e saj e drejtoi vetë Beethoven-i. Pas interpretimit të simfonisë audienca duartrokiti gjatë dhe me ovacione. Beethoven-i, ngaqë nuk dëgjonte, nuk u kthye nga audienca për të parë reagimin e flaktë të saj. Një soliste e kuartetit vokal e tërhoqi për mënge me kujdes, duke e kthyer nga audienca e zjarrtë para së cilës ai u përkul me respekt. Beethoven-i dirigjoi të gjithë simfoninë në bazë të lëvizjes së harqeve të violinave, dirigjoi në atë mënyrë sikur donte të luante vetë me të gjitha instrumentet e orkestrës.
Tri kohët e para janë instrumentale, ndërsa e katërta, që është më e zgjatur, ka të inkluduar kuartetin vokal dhe korin dhe kjo përbën thelbin e Simfonisë së Nëntë. Koha e parë fillon me një hapje misterioze. Që në fillim na paraqitet një muzikë, e cila vjen e rritet në një melodi të gjallë, duke na nxjerrë para "zërin e fatit" dhe motivin në të cilin shfaqet heroi mitik nën moton: “Ti mund të jesh plotësisht fatlum ose plotësisht fatkeq”. Subjekti kryesor shfaqet dy herë, një herë në tonalitetin Re minor dhe në tonalitetin Si bemol në fund të ekspozicionit. Në fund të kohës së parë përsëritet motivi "megjithatë ti je fatkeq". Në kohën e dytë Beethoven-i vendos skercon dhe jo në të tretën. Por koha e dytë në fakt është etiketuar "molto vivace - presto", sipas dorëshkrimit të kompozitorit. Koha e tretë në këtë rast është e ngadaltë, Adagio molto e cantabile në Si bemol maxhor dhe Andante moderato që është lirike dhe përmban dy lloj melodish. E para përfaqëson temën kryesore të bukur, shembull i melodisë bethoveniane mjaft tërheqëse, ndërsa e dyta plot lirizëm, na prezanton një frazë melodike pasionante që shtrihet deri në klimaks.
Frymorët, kornot dhe më vonë harqet janë në temë dhe variacione, harqet lënë mjaft përshtypje në atë tempo plot melodi të mbështetur nga frymorët e drurit. Pas një farë qetësie, në 8.35 shfaqet introduksioni i njohur me trombët dhe timpanin që i përgjigjen çelot. Tingulli i gjatë i oboes vazhdon deri në hyrjen e çelove e kontrabasëve dhe më vonë janë frymorët, violat dhe çelot që dominojnë fillimin e temës kryesore me melodinë e njohur të gjithë kohës së katërt, finale.
Në 14.30 të pjesës së dytë të Simfonisë së Nëntë kemi recitalin e baritonit. Sqarojmë se Beethoven-i krijoi një hapësirë më të madhe në këtë simfoni jo vetëm për tri kohët, por për të inkluduar solistët e kuartetit vokal dhe korin për “Ode”-n e Shilerit. Beethoven-i mbas një kohe të gjatë gjeti mënyrën me të cilën me anë të këngës dhe muzikës do të tregonte madhështinë e fitores përfundimtare, fitoren e "së mirës mbi të keqen". Baritoni, pas një serie variacionesh dhe të përsëritjes së disakordit fillon me fjalët: "O miq, le të këndojmë më me gëzim e dashuri". Këtë recitativ të baritonit e pasojnë këngëtarët e tjerë dhe kori, ndërsa orkestra vazhdon me variacionet mbi strofat e "Oda e gëzimit" të Shilerit. Seria e variacioneve zgjat deri në përfundimin madhështor. Të gjithë i thurin lavde Zotit, dashurisë dhe gëzimit. Në fund, orkestra, solistët dhe kori interpretojnë idenë themelore të Beethoven-it: "Përqafohuni ju miliona njerëz". Kuarteti i Berlinit interpreton mjaft mirë i mbështetur nga kori. Në minutën e 18 frymorët me piccolon interpretojnë variacionet e temës dhe më vonë mbas tenorit dhe korit edhe harqet kalojnë në variacionet e temës. Menjëherë hyjmë në Presto allegro, ndërsa kori këndon temën, harqet janë në variacionet e temës. Momentet e fundit, frymorët e drurit, kori dhe e gjithë orkestra i drejtohen finales, ku kuarteti vokal këndon plotësisht i pavarur, por në një harmoni fantastike me të gjithë ansamblin. Mbyllja e finales nga kori dhe orkestra është mjaft magjepsëse e madhështore. Nuk e kisha parë ndonjëherë, në asnjë dirigjim Karajanin aq aktiv dhe aq të fuqishëm në akordet e fundit të Simfonisë së Nëntë Korale, se nuk ka dyshim që gjeniu e legjendari prej Salzburgut do ta përfundonte një finale si kjo në një mënyrë monumentale të paparë ndonjëherë.
Të dyja, ajo e Fantazisë Korale dhe e Simfonisë No. 9 ngjajnë shumë me njëra-tjetrën dhe që të dyja përbëhen nga komplet variacionesh që këndohen nga kori. Në ekspozicionin orkestral të finales, tema kryesore bëhet temë e "Ode to Joy" (Oda e gëzimit) e Friedrich Schiller, një himn i unitetit dhe i lirisë së njerëzimit. Pjesa qendrore e korit nga finalja "Oda e gëzimit" është sot Himni i BE-së.
Simfonia e Nëntë op. 125 "Korale" është rregullisht e pranishme në çdo koncert-hall dhe interpretohet komplet ose si finale në kremtime të mëdha. Le të shpresojmë se një ditë do të mund ta shohim performancën e saj edhe në Tiranë.
#