E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metereologët parashikojnë mot të keq, e gjithë java me shira dhe stuhi

Moti i keq që ka përfshirë territorin e vendit, do të vazhdojë përgjatë gjithë fundjavës. Metereologët parashikojnë shira të rrëmbyeshëm, deri në formë rrebeshi, kryesisht në pjesën veriperendimore të vendit, e cila ka marrë dhe sasinë më të madhe të tyre,

në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Problematike paraqiten temperaturat. Vlerat termike, janë ulur menjëherë me 6 gradë celsius, ndërkohë që era ka qenë e fortë, duke arritur vlerën 65 km/h. "Një sistem i fuqishëm vranësirash dhe shirash ka përfshirë të gjithë territorin shqiptar, që në orët e para të mëngjesit, pas mesnatës. Shirat kanë rënë kryesisht në veri-veriperëndim, por dhe në qendër të vendit. Mund të themi që dhe dita e sotme do jetë kryesisht me mot të paqëndrueshëm, pasi vranësirat dhe shirat do të mbeten kryesisht në gjithë territorin. Në zonat malore, veri, veriperëndimi, por dhe verilindja dhe juglindja e vendit do të jenë në formë rebeshi, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Mund të themi se dita e dielë do të jetë me vranësira dhe shira, por intensiteti i tyre do të jetë disi më i dobësuar", bën të ditur Lajda Porja, metereologe. Në një situatë të paqëndrueshme të kushteve atmosferike, sipas metereologëve do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe në javën që vjen deri në datën 20 maj."Java në vazhdim pritet të jetë sërish me mot të paqëndrueshëm, sidomos dita e hënë pasi vranësirat dhe shirat do të mbeten prezent në pjesën më të madhe të territorit. Duke filluar nga dita e martë presim të kemi një përmirësim të kushteve atmosferike ndërsa shirat do përqendrohen kryesisht vetëm në zonat malore", tha Porja. Kushtet e këqija atmosferike, kanë sjellë probleme, kryesisht në zonat bregdetare të vendit, ku era ka qenë më e fortë e për pasojë dallgëzimi në det ka qenë i madh, duke shkaktuar dhe probleme në qarkullimin detar. Rebeshi që ka përfshirë që në orët e para të mëngjesit gjirin e Durrësit ka pezulluar çdo aktivitet në port si dhe lundrimet drejt tij. Megjithëse me vështirësi në mëngjes janë futur dy tragete në port , ndërsa një i tretë nuk ka mundur të hyjë duke u strehuar deri në përmirësimin e situatës në kepin e Rodonit. Burime nga kapiteneria e portit të Durrësit kanë bërë të ditur se trageti Arbëria me 100 pasagjerë nuk mundi të futej në port, ai ishte nisur mbrëmjen e së premtes nga porti i Barit dhe tashmë do të presë përmirësimin e kushteve atmosferike në një distancë prej 12 miljesh nga porti i Durrësit. Shpejtësia e erës është rregjistruar në mëngjes 18-20 metra në sekondë, forca e detit 7-8 ballë ndërsa era fryn me drejtim juglindje. Kjo situatë ka pezulluar çdo lloj pune në port, ngarkim shkarkimin si dhe hyrje-daljet e mjeteve lundruese të tonazhit të ulët dhe të mesëm. Edhe mjetet e tonazhit të lartë, anijet e transportit të mallrave, janë strehuar në gjire dhe radën e jashtme të portit në pritje të përmirësimit të motit.

Last Updated on Saturday, 15 May 2010 21:39

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›