E Diel, 1 Nëntor 2026

Dashi lë laboratorin e analizave me një mjek, analizat në dorë të praktikantëve

Qytetarët, me orë të tëra në radhë në pritje të mjekes

Laboratori i analizave të përgjithshme në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza duket sikur është braktisur ditët e fundit nga vetë mjekët të cilët janë përgjegjës, e janë të detyruar të qëndrojnë përgjatë gjithë paradites në dhomën e tyre ku duhet

të presin e përcjellin pacientët ambulantë por edhe ata të cilët janë të shtruar në pavijonet e QSUT-së. Sipas një vëzhgimi të kryer nga gazeta SOT rreth dy ditë më parë është vënë re neglizhenca totale e mjekes së turnit e cila ishte larguar që prej disa orësh e nuk ishte kthyer deri në mesditë. Përpos kësaj vetë pacientët të cilët ishin në pritje prej disa orësh, kanë reaguar ashpër ndaj këtij fenomeni që tashmë është kthyer në diçka të zakonshme jo vetëm në laboratorin e analizave por edhe në pjesën më të madhe të pavijoneve të tjera. Sipas qytetares Mimoza. GJ. E ajo kishte që prej orës 8 të mëngjesit me fëmijën e saj 5 vjeçar diabetik që priste mjeken përgjegjëse për të marrë kampionet e gjakut të cilat më pas do të analizoheshin në laborator. Qytetarja nga Tirana tha për gazetën SOT se   Fenomeni i lënies së detyrës, në orarin e punës është një papërgjegjshmëri totale, aq më tepër kur analizat do kryhen për fëmijët e sëmurë të cilët nuk mund të durojnë sa personat e rritur. Ndër të tjera qytetarja e cila kishte disa orë që priste të kryente analizat për fëmijën e saj tha se drejtoria e QSUT-së duhet të marrë masa të menjëhershme për këtë neglizhim të mjekëve. Është e pafalshme që nuk ka një tjetër mjek zëvëndësues për doktoreshën edhe nëse ajo ka punë të tjera, kam ardhur edhe herë të tjera këtu me fëmijën dhe më është dashur të pres disa orë, nuk kanë përgjegjësi për punën e tyre, ndërkohë që i kemi fëmijët e sëmurë dhe përveç mërzitjes dhe lodhjes, ata duhet të durojnë edhe pa ngrënë tha dje për gazetën qytetarja Gjata. Por edhe pse kjo qytetare priti përreth katër orë në ambientet e laboratorit, dhe gjatë kësaj kohe humbi edhe durimin duke deklaruar se do të ankohej edhe më sipër për këtë fenomen sërish mjekja përgjegjëse për kryerjen e analizave nuk u njoftuar nga asnjë punonjës tjetër. Fenomeni që vihej re në laborator ishte edhe fakti që në vend të mjekes përgjegjëse e cila merret me kampionet e gjakut për analizat e ndryshme, ishin disa praktikantë të cilët përballë ankesave të pacientëve që qëndronin ulur në korridor në pritje të mjekes dorëzoheshin duke thënë se nuk mund të merrnin dot kampionet e gjakut. Por jo vetëm në këtë laborator por edhe në pavijone të tjera e sidomos gjatë fundjavës vihet re neglizhimi total o punës dhe i pritjes së pacientëve nga mjekët specialistë e shefat e shërbimit.


Konsulta
Qendra e Konsultave në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, vuan neglizhencën totale të mjekëve dhe të shefave të shërbimit, të cilët jo vetëm nuk zbatojnë oraret, por shpesh nuk paraqiten fare pranë kësaj konsulte. Ndonëse kjo qendër është vendosur në dispozicion të pacientëve ambulatorë prej më shumë se një viti, për të shmangur konfuzionin që bëhet nëpër pavijone, duket se kjo rregullore nuk po zbatohet nga një pjesë e bluzave të bardha. Të lodhur nga pritjet e gjata të mjekëve kapriçiozë, pacientët shprehen tepër të revoltuar. Madje, edhe personeli që punon pranë Qendrës së Konsultave, e pohon se një pjesë e mjekëve nuk janë aspak korrektë me zbatimet e orareve.


Neglizhenca
Ndonëse është ora rreth 12 dhe mjekët duhej të ishin në orarin e punës, mjafton të trokasësh në dyert e Qendrës së Konsultave dhe nuk do të gjesh as gjysmën e bluzave të bardha në shërbim. Në fakt ndodh që ndonjë nga mjekët specialistë nuk vjen, por edhe shefat ka raste që mungojnë, ndaj dhe dyert janë të mbylluara, pohon njëra nga punonjëset e Qendrës së Konsultave, duke shtuar se kjo qendër po e humb çdo ditë e më shumë rëndësinë që ka, për shkak të neglizhencës së mjekëve. E ndërsa dyert e Qendrës së Konsultave janë të mbyllura, në pavijone vihet re një rrëmujë e madhe, pasi ambulatorët, duke mos gjetur shërbim tek kjo qendër që është apostafat për ta, shkojnë nëpër pavijone, ndonëse është e ndaluar që mjekët të vizitojnë në pavijone.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›