E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthim në Wall Street

Oliver Stone dhe financa, arma e diskutimit të masës Regjisori amerikan, pas 23 vjetësh, risjell në skenë botën e financës, në gjithësinë e krizës ekonomike amerikane dhe tregon një histori lakmie pa kufi

Vetëm para pak ditësh, Europa rrezikonte të shembej sërish financiarisht dhe është e qartë se as Gekko-ja i vjetër nuk do të kishte qenë në lartësinë e duhur të djajve të rinj, që me ndonjë telefonatë dhe duke djegur miliona dollarë mund ta degradonte euron. Megjithatë, për të rinjtë ka një fije shprese, që gjërat të ndryshojnë. Pjesë e Festivalit të Kanës është edhe filmi “Wall Street 2 – Paraja nuk fle kurrë”. Regjisori është i njëjti, fituesi i shumë çmimeve “Oskar”, Oliver Stone, dhe protagonisti Michael Douglas, i cili para 23 vjetësh nuk kishte kaq rrudha sa sot. Ashtu, si edhe në filmin e parë, aktori protagonist ëndërron një mal me miliarda dollarë.

është thjesht një koincidencë fakti që në film “Wall Street – Paraja nuk fle kurrë”, droga vret djalin e Gordon Gekko dhe në realitet, Cameron, djali i Michael Douglas, është dënuar me pesë vjet burg për shpërndarje të lëndëve narkotike. “Nuk ka asgjë paralele, filmi ishte shkruar shumë kohë para problemit tim personal. Ndonjëherë falsiteti e kapërcen realitetin”, komenton aktori, që gjatë procesit gjyqësor e ka pranuar fajin e tij si baba i pakujdesshëm dhe është përpjekur t’i qëndrojë pranë të birit. “Jam i bindur se pas kësaj ngjarje, im bir do ta gjejë sërish ekuilibrin”. Sa brutal dhe i pamëshirshëm është Gekko, aq i sjellshëm duket Michael Douglas, i cili është angazhuar në disa çështje të mëdha kombëtare, për shembull në fushatën për shkatërrimin e armëve bërthamore.

“Kemi një mundësi të madhe për ta bërë më të bukur botën”, thotë aktori.
Pasi del nga burgu Gekko ndihet i vetmuar, i përçmuar nga e bija dhe pa miq, por nuk heq dorë nga dëshira për të fituar pushtetin. “Në krahasim me filmin e vitit 1987, në botën e sotme të financës ka pafund ‘peshkaqenë’ të egër, që janë më të pamëshirshëm. Ndryshe nga ata, Gekko është ambicioz, por filmi është edhe një histori familjare. Ekziston një ekuilibër mes dëshirave dhe parave”, thotë Douglas. Së bashku me Michael në Festivalin e Kanës, përveç regjisorit Oliver Stone dhe Carey Mulligan, janë edhe tre aktorë të tjerë: Frank Langella, Shia LaBeouf dhe Josh Brolin.

Për Michael Douglas është shqetësuese të shohësh se sa të rinj kanë hyrë në botën e financës të joshur nga ëndrra për të fituar para dhe pushtet në një mënyrë të thjeshtë. Por aktori i famshëm mendon se 40-vjeçarët janë më të rrezikshëm, nuk kanë skrupuj dhe nuk e njohin moralin. Me mendimin e Douglas është dakord edhe Josh Brolin. “Personazhi im Bretoon James i shkakton vështirësi një banke dhe përfiton për ta shtyrë drejt falimentimit, edhe pse shtyn dikë tjetër të përlyejë duart në krim dhe më pas viktima të vrasë veten. Modeli i tij është Gekko. Ai e adhuron. Më vjen mirë që jam pjesë e këtij filmi. Modeli i financës më tremb dhe më mrekullon në të njëjtën kohë. Kam luajtur në bursë, madje edhe kam humbur”, thotë ai. Dhe nuk është i vetmi. “Si shumë kolegë të Hollivudit kam bërë investime të gabuara. Për dy muaj 40 për qind e kapitalit tim është venitur”, kujton Michael Douglas.

Para filmit edhe Shia LaBoeuf e injoronte botën e financës: “Ndoqa një kurs intensiv dhe tani mund të jem bankiere. Por preferoj të jem aktor, pas shumë personazheve heronj të aventurës, regjisori Stone më ofroi një rol plot nuanca dhe dykuptimësi”.

është shkruar shpesh që Gordon Gekko, i “Wall Street”-it të parë ka shtyrë shumë të rinj të zgjedhin profesionin e bankierit. “Nëse personazhi e ka humbur aftësinë e joshjes dhe stili mund të jetë një kompliment, atëherë mund të them me bindje të plotë se kjo gjë nuk më jep kënaqësi. Sot kriza financiare ka arritur përmasa të tmerrshme. është një kancer që po pushton botën, siç thuhet edhe në film, më i keq se ai i vitit 1929. E ardhmja? Amerika po përpiqet të diktojë rregulla të reja bashkëjetese dhe të drejtësisë sociale, të shpresosh është e ligjshme”, thotë Douglas. Filmi i parë “Wall Street” e bëri që të fitonte çmimin “Oskar” dhe për këtë ai i detyrohet regjisorit Oliver Stone, i cili e shtyu të jepte maksimumin e tij. Sot në moshën 65-vjeçare, me role shumë interesante që sa vijnë e bëhen më të rralla dhe vështirësitë që e godasin kinemanë papritur, nuk ka se si mos të jetë ende mirënjohës. Por këtë herë është shumë e rëndësishme që filmi t’i pëlqejë publikut. “Do të preferoja më shumë një film të mirë se sa një rol prej ‘Oskari’ në një film të shëmtuar”.
Filmi i referohet situatës së rëndë financiare që mbizotëron ende, e dominuar nga kriza greke dhe shqetësimet për vendet më të dobëta të arenës euro. “Duke parë krizën, veçanërisht situatën e Greqisë, Anglisë, Spanjës dhe Portugalisë, e kuptoj se gjërat janë më keq sesa në vitin 1987, periudha kur është xhiruar filmi i parë”, thotë regjisori. “Ekziston një hendek i tmerrshëm mes atyre që kanë para dhe atyre që nuk kanë, atyre që fitojnë shumë para në punë dhe punëtorëve të varfër. Pabarazi të papranueshme, që medoemos duhen ndrequr: do të duheshin reforma shumë serioze, duke filluar që nga Shtetet e Bashkuara”. Filmi është një pasazh rreth këtyre ndryshimeve. “Kohët kanë ndryshuar dhe Gekko ka mbetur jashtë sistemit dhe nuk mund të hyjë më, madje pas daljes nga burgu po përpiqet të gjejë një qendër rehabilitimi”, shpjegon Stone. Ka shkruar një libër ku parashikon katastrofën ekonomike dhe ndërkohë bën çmos që t’i afrohet së bijës Winnie (Carey Mulligan), e cila nuk do t’ia dijë më për të atin e korruptuar dhe ka një të dashur, Jake Moore, (Shia LaBeouf, në film), agjent burse i shfrenuar dhe në të njëjtën kohë idealist dhe ambientalist i zjarrtë.
“Të luaja sërish rolin e Gekko-s ishte elektrizuese. Ka qenë një film i rëndësishëm për karrierën time dhe jo vetëm sepse kam fituar çmimin ‘Oskar’. Të interpretoj sërish personazhin pas asaj që ka ngjarë në tregun global, më ka dhënë më shumë se një shtysë për të reflektuar”, thotë Douglas.
Gjithashtu regjisori dhe protagonisti nuk harrojnë të theksojnë faktin se jemi para një filmi, jo një broshure. Një tregim që prek disa njerëz, jo një temë të përgjithshme. “Më interesojnë historitë e individëve, sepse përmes tyre kuptohet më mirë konteksti kolektiv, shkatërrimi i madh”, përfundon Stone. Për sa i përket së ardhmes, është pak pesimist: “Pasojat e 11 shtatorit kanë qenë më keq se atentati, horizonti u ngjyros me të zezë. Tani ka ardhur Obama, por gjërat duhet ende të ndryshojnë”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›