BEJRUT – Libani paralajmëron për rrezikun e ripërtëritjes së operacioneve ushtarake në kufirin me Izraelin

BEJRUT, 22 mars /ATSH-DPA/ – Kryeministri libanez, Nawaf Salam ka paralajmëruar se ripërtëritja e operacioneve ushtarake në kufirin e vendit të tij me Izraelin rrezikon ta tërheqi vendin drejt një lufte të re.
Paralajmërimi i tij erdhi pasi Izraeli tha se kishte interceptuar tre predha të drejtuara drejt Izraelit verior nga Libani.
Agjencia shtetërore e Libanit e Lajmeve (NNA) raportoi se kryeministri libanez, Salam kishte telefonuar ministrin libanez të Mbrojtjes, duke theksuar nevojën për të marrë të gjitha masat e sigurisë dhe ushtarake për të konfirmuar se vetëm shteti libanez kishte fuqinë për të vendosur luftën dhe paqen.
Salam u ka bërë thirrje gjithashtu Kombeve të Bashkuara të dyfishojnë presionin ndërkombëtar ndaj Izraelit për t’u tërhequr plotësisht nga territori libanez në kuadër të armëpushimit.
Sipas NNA, disa qytete në Libanin jugor iu nënshtruan sot bombardimeve izraelite. Deri më tani nuk janë raportuar viktima.
Armëpushimi ka qenë në fuqi midis Izraelit dhe milicisë libaneze të Hezbollahut të mbështetur nga Irani që nga nëntori. //a.i/