E Martë, 3 Nëntor 2026

BEOGRAD – Vuçiç u bën thirrje autoriteteve të rivendosin rendin dhe paqen pas disa muajsh protestash

BEOGRAD, 13 prill /ATSH/- Presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërkoi që autoritetet të rivendosin “rendin dhe paqen” në vendin ballkanik – pas disa muajsh protestash – që kanë tronditur kontrollin e tij në pushtet, sipas AP.

Vuçiç iu drejtua dje një turme të madhe mbështetësish të tij – gjatë një mitingu në qendër të Beogradit.

Presidenti serb ka luftuar për të shuar lëvizjen mbarëkombëtare të udhëhequr nga studentët e universitetit – që kërkojnë drejtësi për incidentin në stacionin e trenit – ku u vranë 16 njerëz në nëntor – dhe për të cilin fajësohet korrupsioni i përhapur në vend.

Fjalimi i Vuçiç para mijëra mbështetësve të tij në një tubim në Beograd sugjeroi se presioni i shtetit ndaj protestuesve dhe medieve mund të rritej më tej.

Takimi në Beograd ishte organizuar për të kundërshtuar protestat masive kundër korrupsionit që kanë tërhequr qindra mijëra njerëz në një sfidë të paprecedentë ndaj Vuçiç.

Në fjalimin e tij, presidenti serb akuzoi protestuesit e udhëhequr nga studentët se i kishin shkaktuar një të keqe të madhe Serbisë – në pesë muajt e fundit.

“Sulmi erdhi nga jashtë”, tha Vuçiç pa përmendur organizatorët e dyshuar të huaj dhe pa ofruar asnjë provë për pretendimet e tij.

“Ne nuk do të lejojmë që ata nga jashtë dhe brenda Serbisë ta shkatërrojnë shtetin tonë”, tha ai.

Vuçiç mori mbështetje nga aleati i tij i krahut të djathtë, kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili iu drejtua tubimit në një mesazh me video. Një folës tjetër ishte presidenti serb i Bosnjë-Hercegovinës Milorad Dodik.

Vuçiç i tha turmës në Beograd se të gjithëve duhej t’u jepej e drejta për të studiuar dhe për t’u arsimuar.

“Ushqyesit e dhunës duhet të ndëshkohen”, shtoi Vuçiç duke iu referuar studentëve, megjithëse protestat e tyre kanë qenë paqësore.

Studentët protestues kanë ngritur kampe në godinat e fakulteteve të tyre – në të gjithë vendin gjatë pesë muajve të fundit, të mbështetur nga pedagogët dhe dekanët e tyre.

Tubimet e udhëhequra nga studentët kanë tërhequr qindra mijëra njerëz në disa nga mitingjet më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në Serbi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›