MOSKË – Kremlini: Nuk ka zgjidhje të shpejta në rindërtimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi

MOSKË, 13 prill /ATSH-DPA/- Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka shprehur optimizëm për të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Rusi – pas takimit të të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff me presidentin Vladimir Putin.
“Gjithçka po shkon shumë mirë”, tha sot Peskov për televizionin shtetëror rus, duke i përshkruar bisedimet si konstruktive.
Ai tha se një takim midis Putinit dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump është duke u shqyrtuar – por paralajmëroi se kjo do të kërkonte përgatitje të plotë.
“Pas disa vitesh marrëdhënie të prishura, nuk priten rezultate të shpejta”, tha Peskov.
“Gjithçka duhet të ndërtohet nga e para. Ka probleme shumë të vështira”, shtoi ai.
Peskov theksoi nevojën për durim dhe përsëriti se duhej të ndërmerreshin shumë hapa – përpara se të zhvillohej takimi. Asnjë datë apo vend nuk është caktuar.
Witkoff u takua me Putinin të premten në Shën Peterburg, për më shumë se katër orë.
“Rusia duhet të lëvizë shpejt. Shumë njerëz po vdesin, mijëra prej tyre në javë, në një luftë të tmerrshme dhe të pakuptimtë”, shkroi Trump në “Truth Social”.
Pas mbërritjes së Witkoff, presidenti Trump – i cili ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare në Ukrainë – rriti presionin ndaj Moskës.
“Ka një pikë në të cilën ju thjesht duhet të mbani gojën ose të heshtni, dhe ne duhet të presim se çfarë do të ndodhë. Por mendoj se po shkon mirë”, u tha Trump gazetarëve në “Air Force One”. //a.i/