E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Ballkani Perëndimor do të vuajë gjatë pasojat e krizës ekonomike


Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ose BERZH-i, deklaroi se Ballkani Perëndimor do të vuajë gjatë pasojat e krizës ekonomike globale. Claudio Viecoli, drejtori i BERZH për Ballkanin Perëndimor deklaroi se do të jetë e pamundur që vendet e ish-Jugosllavisë së bashku me Shqipërinë të mund të rikthehen sërish në normat e rritjes ekonomike që patën përpara krizës. "Nuk ka asnjë mundësi që këto vende të paktën për një periudhë kohore 3-4 vjecare, të mund të kenë norma rritjeje 6 deri në 7 për qind siç kanë pasur në të shkuarën", deklaroi Viecoli në një intervistë për median italiane. "Rajoni nuk u prek nga kriza financiare. Por këtu kriza po godet fort ekonominë reale, sepse bankat edhe pse kanë fonde nuk po japin më kredi për bizneset", ka vijuar më tej Viecoli. Sipas tij, tashmë rajoni do të përballet me një valë falimentimesh masive, ku bizneset më të dobëta do të eliminohen dhe tregu do të korrektohet. "Për rrjedhojë - deklaroi kreu i BERZH për Ballkanin Perëndimor - mundësitë e investimeve në këtë rajon për kompanitë e huaja do të jenë të kufizuara, në një klimë që tashmë është e vështirë".
Dy javë më parë, BERZH, njoftoi se ka përkeqësuar parashikimet për ekonominë shqiptare për vitin 2010, duke e ulur rritjen ekonomike nga 2 në normën minimale 1.4 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›