BERZH: Shqipëria shmang recensionin
Ekonomia shqiptare ka shumë mundësi të rimëkëmbet në vitin 2010, duke qenë një nga vendet e vetme në rajon që do të shmangë recesionin. Ky fakt është deklaruar nga Peter Sanfey, ekonomist i BERZH për Evropën Juglindore, i cili duke njohur trendin e ekonomive të këtyre vendeve, parashikon për të gjithë një rimëkëmbje të ekonomisë për vitin që vjen, ndryshe nga shumë të tjerë që ishin pesimistë në këtë drejtim. Sanfey, duke iu referuar raportit të BERZH-it për vitin 2009, thekson se ekonomia shqiptare ka mundur të përballojë efektet e krizës nga një sistem bankar i zhvilluar dhe ngaqë ekonomia shqiptare nuk ka qenë shumë e ekspozuar ndaj tregjeve botërore. Raporti i BERZH-it parashikon që ekonomia shqiptare pritet të rritet me afërsisht 3 për qind në vitin 2009, në rënie nga rritja prej 6.8 për qind e vitit 2008. Në vazhdim të një rënieje ekonomike të mëtejshme të pritur në gjysmën e dytë të vitit, ekonomia ka mundësi të rimëkëmbet në vitin 2010. Peter Sanfey, ekonomist i BERZH për Evropën Juglindore, u shpreh se “efekti i krizës botërore në Shqipëri ka qenë i përmbajtur, së pari në sajë të sistemit relativisht të fortë bankar që është zhvilluar mirë në vitet e fundit dhe ekspozimit të kufizuar të ekonomisë shqiptare ndaj tregjeve ndërkombëtare. Megjithatë, rritja do të ndikohet nga një ulje e pritur e eksporteve, remitancave dhe investimeve të brendshme dhe deficiti i madh aktual do vazhdojë të jetë një sfidë e madhe për vitet në vazhdim. Kontrolli fiskal mund të nevojitet për të ruajtur balancimin e buxhetit dhe bankat tregtare do t’u duhet të monitorojnë me kujdes portofolet e huave ndërsa ekonomia rimëkëmbet pas krizës”.
Sipas raportit të BERZH, ekonomitë e Evropës Qendrore dhe Lindore priten të tkurren me një mesatare prej 6.3 për qind në 2009 pas një uljeje të theksuar të prodhimit në gjysmën e parë të vitit. Shenja të një rritjeje pozitive në tremujorin e tretë të vitit 2009 tregon se recesioni po arrin tani pikën më të ulët në shumë vende të rajonit të BERZH. Megjithatë, çdo përmirësim në vitin 2010 pritet të jetë i lehtë dhe i pjesshëm. Raporti i Tranzicionit të BERZH-it 2009, i cili do të publikohet i plotë në muajin e ardhshëm, tregon se ka mundësi të ketë diferenca të rëndësishme ndërmjet rritjes ekonomike të shteteve në vitin 2010, me një nivel rritjeje mesatare prej 2.5 për qind për rajonin. “Gjithashtu është e qartë se kostoja sociale e krizës ekonomike botërore ka mundësi të ndihet vetëm në fillimin e vitit tjetër, kur falimentimet e kompanive dhe papunësia do të vazhdojnë të rriten. Gjithashtu, rritja ekonomike gjatë periudhës afatmesme në rajonin e BERZH ka mundësi të jetë nën nivelin e përjetuar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit”, - tha Erik Berglof, kryeekonomisti i BERZH. Megjithëse rritja ekonomike vjetore në vitin 2010 tani parashikohet të jetë më e lartë se 1-1/2 për qind e parashikuar nga BERZH në maj, kjo reflekton më shumë rimëkëmbjen nga një recesion më i madh në pjesën e parë të këtij viti se ai i parashikuar, sesa një ekonomi më të fortë gjatë 2010. Disa nga faktorët që pengojnë rritjen ekonomike në vitin 2010 janë ritmi i ngadaltë i rimëkëmbjes së tregut të eksporteve (veçanërisht në zonën e euros) dhe vazhdimi i kreditimit të kufizuar, ndërsa bankat vazhdojnë të pakësojnë asetet e tyre në rajon dhe ndërsa huadhënia për individët dhe firmat e vogla vazhdon të jetë e kufizuar nga rritja e huave të këqija. Ndryshe nga disa vende që kanë pasur problem me sistemin bankar apo atë fiskal, ku ekonomitë e tyre pritet të tkurren, me Shqipërinë do të ndodhë e kundërta. Sipas raportit të BERZH, në disa shtete konkurruese në arenën ndërkombëtare si Shqipëria, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia, ku sistemet bankare para krizës ishin relativisht të forta, pritet një rritje relativisht më e shpejtë në vitin 2010, në një nivel ndërmjet 2 dhe 5 për qind. Ndërkaq raporti i BERZH parashikon që në disa vende të pasura me mallra të konsumit të gjerë si Azerbajxhani, Mongolia dhe Turkmenistani, sistemet financiare të të cilave ishin më të vegjël dhe më pak të ndikuar nga kriza, dhe rritja ekonomike e të cilave ndikohet kryesisht nga mallrat e konsumit të gjerë, pritet të kenë rritje të shpejta në vitin 2010 në një nivel prej 5 për qind ose më shumë.
Unionet e kreditë, “bankat” fermerëve
Fermerët gjithnjë e më shumë po gjejnë mbështetje për zhvillimin e aktivitet të tyre tek Unionet e Kursim-Kreditit. Ndaj ato vlerësohen nga ekspertët e ekonomisë, si një ndër faktorët e rëndësishëm që mbështesin dhe nxisin zhvillimin e aktivitetit bujqësor. Duke pasur një zhvillim nga viti në vit, Unionet e Kreditit po kthehen në “banka” për mbështetjen me kredi të sektorit bujqësor. Dje ishte Dita Ndërkombëtare e Unioneve të Kreditit dhe në vendin tonë kjo datë shënon 19 vjet aktivitet. Në Shqipëri, fillimet e Kursim-Kredisë shënojnë në vitin '90, duke hedhur kështu hapat e mikrofinancës në vendin tonë. Ishte projekti i Bankës Botërore për mikrofinancën rurale që gjeti zbatim në disa nga territoret e vendit. Më pas nëpër vite u krijuan shoqëritë e kursim-kreditit në zonat rurale, të cilat u bënë një mbështetje e domosdoshme financiare për fermerët e atyre zonave. Unioni Shqiptar i Kursim-Kreditit mbetet një institucion me eksperiencë në fushën e mikrokredisë, i cili operon në 16 rrethe të vendit. Në 17 vite të aktivitetit të tij, USHKK ka shpërndarë mbi 50 mijë kredi, duke mbështetur fermerët në zonat rurale të vendit, për të kaluar vështirësitë ekonomike dhe më pas për të krijuar, konsoliduar dhe zhvilluar bizneset e tyre. Unionet e Kreditit kanë një histori, mbështetur në një ide. Një ide e thjeshtë ku njerëzit bashkojnë burimet e tyre monetare dhe i japin kredi njëri-tjetrit. Gjithçka filloi në Evropë, në shekullin e 19-të, ku në Gjermani u krijuan shoqëritë e para të kreditit. Ato patën për iniciatorë Herman Schulze dhe Fridrich Raiffeisen. Këto shoqëri krediti ishin të parat dhe më pas u bënë pararendëse të bankave të mëdha kooperativave, të cilat veprojnë sot në Evropë dhe ndër to veçojmë Raiffeisen dhe Rabobank. Mbas viteve 1900, lëvizja e Unioneve të Kreditit u përhap edhe në vendet e treta të botës si Amerikë e Kanada, dhe sot në të gjithë botën, Unionet e Kursim-Kredisë numërojnë mbi 177 milionë anëtarë në 96 vende të botës.
Kreditimi rritet me 6.3% në 6-mujorin e parë 2009
Banka e Shqipërisë evidenton në raportin e fundit të saj mbi zhvillimet në sistemin financiar në vend, se në 6-mujorin e parë të vitit 2009, kredia u rrit me 6.3 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë një vit më parë. Sipas Bankës Qendrore, gjatë kësaj periudhe ecuria e sistemit bankar e ndikuar nga kriza financiare ndërkombëtare, reflektoi një ndalesë të rritjes së sektorit bankar. Ndërsa pjesa tjetër e tregut financiar, vëren BSH-ja, e përfaqësuar kryesisht nga shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, fondet e pensionit dhe shoqëritë e kursim-kreditit, ka shënuar një rritje të mirë të veprimtarisë. Sipas BSH-së, për sektorin bankar, në fund të muajit qershor, totali i mjeteve mbeti pranë nivelit të tij në fund të vitit 2008, në vlerën rreth 832 miliardë lekë.