Austriakët, 3 mijë euro për dramën shqipe
Konkursi Austriak i Dramës “Të flasim mbi kufijtë“ organizohet çdo vit prej 2005 për vende të rajonit të Evropës Juglindore. Një juri ndërkombëtare zgjedh dramën më të mirë të dorëzuar dhe vlerëson fituesin me një çmim në shumën 3.500 Euro. Pjesë e çmimit është njëkohësisht edhe përkthimi i tekstit në gjuhën gjermane, publikimi i tij
(me një tirazh së paku 10.000 kopje) dhe një prezantim publik në Vjenë, në kuadër të të cilit ftohet edhe fituesi i zgjedhur. Organizatorët përpiqen gjithashtu për inskenimin dhe shfaqjen e dramës. Konkursi Austriak i Dramës organizohet nga Ministria Austriake për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, e përfaqësuar nga Ambasada Austriake në Tiranë, në bashkëpunim me klubin austriak P.E.N dhe Ministrinë shqiptare të Kulturës si dhe Teatrin Kombëtar në Tiranë si partnerë lokal të projektit dhe Dr. Christian Papke si përfaqësues ligjor dhe artistik i konkursit. Konkursi u jep të drejtë të marrin pjesë gjithë personave që jetojnë dhe kanë lindur në Shqipëri, kanë nënshtetësinë shqiptare apo që kanë jetuar në territorin e këtij shteti për të paktën 15 vjet. Drama duhet të shkruhet në gjuhën shqipe. Përveç tekstit origjinal duhet të dorëzohet edhe një version i tij në anglisht. Versioni anglisht i shërben jurisë për orientimin e parë dhe nuk ka nevojë të jetë një përkthim profesional. Çdo autore/autor mund të dorëzojë vetëm një tekst. Drama nuk duhet të jetë vënë në skenë apo të jetë botuar më parë. Drama duhet t’i përmbahet në një farë mënyre temës së konkursit “Të flasim mbi kufijtë: Mbresa jetësore në kohë ndryshimesh politike”. Drama duhet të luhet në skenë maksimalisht nga pesë aktorë.
Pjesëmarrëset/pjesëmarrësit i delegojnë të drejtat e tyre të ripërdorimit organizatorëve të drejtat ripërdoruese si vijon: Të drejtën jo-ekskluzive të përdorimit, të palimituar, për përkthimin dhe publikimin e tekstit të dramës pa honorar në rast botimi brenda një antologjie. Në rast se një tekst kthehet në bestseller, autorja/autori i tij do të përfshihet në fitim. Pjesëmarrëset/pjesëmarrësit pranojnë që për dramën fituese vlen rregulli i mëposhtëm: Autorja/autori u kalon organizatorëve të drejtën ekskluzive për përkthim dhe publikim të tekstit fitues për një afat njëvjeçar pas marrjes së çmimit. Gjithashtu organizatorët përfitojnë të drejtat ekskluzive për vënien në skenë të dramës për një periudhë kohore 2-vjeçare, si dhe maksimumi 14 shfaqje publike. Fituesja/fituesi bie dakord që sipas të drejtave të mësipërme të mos marrë honorar tjetër, përveç çmimit fitues prej 3.500 euro. Afati i fundit i dorëzimit është data 20 dhjetor 2009.
Ndërsa adresa e dorëzimit është “P.E.N.- Club Austria, Bankgasse 8, 1010 Wien, Austria”. Në mënyrë alternative, tekstet dhe dokumentet mund të dërgohen edhe via E-Mail (Objekti: “Drama Contest”) në adresën: info@penclub.at, office@papke.at. Dramat e dorëzuara do t’i shpërndahen jurisë në formë anonime. Juria përbëhet nga pesë anëtarë profesionistë të fushës: dy nga hapësira gjermanike, dy nga Shqipëria, si dhe një përfaqësuese/përfaqësues ndërkombëtar. Fituesi do të shpallet në fund të muajit shkurt 2010.
Re.Ku