Ikonologjia e rrëfimit
Shtëpia botuese “Ideart” hedh në qarkullim romanin e Mira Meksit, “E kuqja e demave”. Në një qytet legjendash në Spanjë, murgjit “Luftëtarë kundër harresës së Ikonës” kanë vite që punojnë për deshifrimin e misterit që vesh të kuqen e fuqishme të ikonave të Onufrit. Brenda një realiteti të përndezur ndeshjesh me dema, rivalitetesh dhe tradhtish të gjakta, Mira Meksi përshkruan lojën pasionante të jetës ku ngërthehen fort dhe përleshen egërsisht Dashuria dhe Vdekja
Sikundërse kemi vënë në dukje edhe në disa hapësira të tjera, e tërë krijimtaria e Mira Meksit lind dhe kristalizohet nën dritën e hapjes ndaj tjetrit, duke rrëfyer për tjetrin. Kjo hapje, ky përtejsim, në faqet e këtij romani jepet në formë më të qartë dhe më të shprehur se në çdo roman apo tregim të saj të mëparshëm. Ndërsa tek krijimtaria e mëparshme, lexuesin e vërejmë të jepet si element strukturor i rrëfimit, porse në një trajtë fort të ndërfshehur, në faqet e këtij romani prania e tij jepet në formën më të hapur; ndryshe nga sa më parë, tek “E kuqja e demave” Meksi i drejtohet drejtpërsëdrejti dhe në emër lexuesit, madje, duke e shoqëruar këtë dialog me një ndriçim të fortë dhe mbresëlënës: në qoftë se ka vënë në lëvizje një rrëfim, nuk e ka bërë për vete; përkundrazi, rrëfimtaria e saj i drejtohet lexuesit, është një rrëfimtari për të, ku do të mjaftonte të sillnim në kujtesë shprehjet që lexojmë në këtë roman: “Më vonë, pa e lodhur lexuesin, do të shpjegoj...”; “I premtova lexuesit se do t’i shpjegoj...”; “... besoj se lexuesi do të ketë interes të veçantë për t’i njohur, njëlloj si kërshëria ime në Manastir...” etj.
Nga këto pak shembuj të mësipërm, përpos të qenit një rrëfimtari për lexuesin, dua të besoj se është me vend të vë në pah edhe një anë tjetër të mbarë krijimtarisë letrare të Mira Meksit; e tërë krijimtaria e saj nuk është një formë dëfrimi dhe tollovitjeje kohëvrasëse, por një formë njohjeje, që do të thotë shprehimisht se nuk është thjesht dhe vetëm një formë hapjeje ndaj tjetrit dhe ndaj botës që e rrethon, por edhe një formë me të cilën ajo mëton që ta grishë këtë tjetër dhe këtë botë që t’i hapet në mënyrë të anasjelltë, duke krijuar një komunikim të ndërsjelltë përvojash. E tërë krijimtaria e Mira Meksit lind dhe kristalizohet nën dritën e kësaj prirjeje, është fryt i një impenjimi të fuqishëm dhe të vazhdueshëm për të njohur sa më thellë dhe sa më gjerë jetën, tjetrin, botën, për të pasuruar kësisoj ndjeshëm përvojën perceptive dhe për të zgjeruar sa më tepër sistemin e njohjes; dhe të njëjtin impenjim Meksi kërkon edhe nga lexuesit, çka shpaloset në mënyrë të qashtër edhe në faqet e këtij romani.
Sikundërse vërejmë tek romani i mëparshëm i Mira Meksit, tek Porfida - Ballo në Versailles, edhe tek “E kuqja e demave” rrëfimi jepet në vetën e parë; dhënia e rrëfimit në vetë të parë nuk është për arsye retorike, por poetike, që do të thotë shprehimisht se lidhet me një përvojë, madje, mëton që të nxjerrë në pah pikërisht këtë përvojë, përvojën e drejtpërdrejtë që autorit pati në kapërcyell të vitit 1990 gjatë qëndrimit në një shtëpi përkthyesish në Spanjë. Prej këndejmi, trauma e romanit zhvillohet në Spanjë, porse, njëlloj siç ndodh në rastin e trevave shqiptare në faqet e Porfida - Ballo në Versailles, fjala është për një Spanjë të ndryshme nga ajo që hasim rëndomtazi nëpër faqet e atlaseve apo nëpër syprinat e hartave të gjeografisë fizike; është një Spanjë që e peshkojmë më së shumti në syprinën e “hartëzës” së ngjizur nga vetë autori-rrëfimtari, që këtu do të thotë shprehimisht se romani na zhvendos në një Spanjë tjetër, në një Spanjë të kujtuar, të jetuar dhe të përjetuar: “Sa herë lëvizja gjeografive të huaja, e pata bërë zakon të përdorja hartëzën time, të cilën e kisha ngjizur vetë me shenjëza dhe me përkime përgjatë ditëve, javëve dhe muajve që pata jetuar atyre viseve”; përpos kësaj, fjala është për një Spanjë të jetuar dhe të përjetuar edhe nga personazhet e tjerë të rrëfimit, të cilët arrijnë deri aty, sa t’i ndryshojnë emrin adresave dhe vendndodhjeve gjeografike, duke operuar shpeshtazi përmes një morie zhvendosjesh përkthimore (“shtëpia e përkthyesit” që shndërrohet në “shtëpia e varur”, apo në “Babel”, “Lugina e Frikës” që këmbehet me “Luginën e Tmerrit”, vendet dhe rruginat e Toledos që emërtohen përmes emërtesave të legjendave të Becquer-it apo përmes emërtesave të psikologjisë kolektive të banorëve të qytetit, si në rastin e kështjellës së Dona Maria Victoria-s etj.).
Sidoqoftë, sikundërse u shpreha edhe pak më lart, rrëfimtaria e Mira Meksit nuk mëton thjesht dhe vetëm të përcjellë një përvojë, por edhe të përcaktojë llojin, natyrën dhe përmasat e kësaj përvoje, më konkretisht, të përvojës së njohjes, duke mëtuar që të pasurojë ndjeshëm përvojën njohëse të saj dhe të lexuesit njëkohësisht. Nga ky këndvështrim, “E kuqja e demave” besoj se ka shumëçka për t’i ofruar lexuesit. Përpos përvojës dhe jetës së saj në Spanjë, në këtë roman Mira Meksi tregon edhe për një përvojë të mirëfilltë njohjeje, madje, duke ndjekur një skemë mjaft të ngjashme me ritualet e rishtarisë mistike, për të na paralajmëruar se bëhet fjalë për një njohje të epërme, metafizike. Më konkretisht, në faqet e këtij romani, që i shpëton paq, si çdo roman i mirëfilltë, qoftë rregullave dhe kanoneve, qoftë përcaktimeve dhe përkufizimeve të gjinisë, Meksi tregon për përvojën që ka pasur gjatë përpjekjeve për të depërtuar në universin e ikonës, duke e shndërruar gjithçka, thriller-in me të cilin hapet romani, përvojën përkthimore, deri edhe vetë korridën dhe dashurinë mes dy protagonistëve, në funksion të drejtpërdrejtë të kësaj përvoje njohjeje.
Duke mbajtur parasysh gjithë sa më sipër, i vështruar qoftë në formë, qoftë në përmbajtje, qoftë në tonalitete ligjërimore, qoftë në stil, qoftë në strukturë, qoftë në ngërthimin e subjektit, “E kuqja e demave” nuk është thjesht dhe vetëm një roman që ngërthen një përvojë në lidhje me njohjen dhe me depërtimin e universit të ikonës, sikundërse nuk është as thjesht dhe vetëm një roman që na flet për këtë univers “të gatuar me ngjyra, kujtesë, frymëmarrje, mister, tokë dhe kohë”; përkundrazi, i vështruar në bërthamën e vet poetike, “E kuqja e demave” është një ikonë e madhe, një ikonë e gjallë, e mbrujtur me ngjyra të bollshme, me një vizualizëm ekspresionist dhe me një imazheri të prekshme surreale, por edhe me plot dritë-hije dhe me mister; porse, mbi të gjitha, është një ikonë vërtet e arrirë, në të gjitha kuptimet, ngjyresat dhe përftesat e këtij termi, për vetë ikonën, për natyrën dhe misterin e saj, një ikonë e përftuar nga soditja e ngulmët dhe misterike, nga bashkimi dhe shkrirja e dy universeve, e dy pafundësive, e pafundësisë së dritës hyjnore dhe asaj të shpirtit të soditësit. Aq sa mund të thuhet se, më tepër sesa pena e një shkrimtari, tek “E kuqja e demave” ndihet mjaft e fuqishme lëvizja e penelit të një ikonografi, e një “ikonë-shkruesi” të mirëfilltë, ku do të na mjaftonte që të ndaleshim tek përshkrimet deri në detaje të imta të fytyrës së personazheve kryesorë, siç shfaqet rasti i Antonio Manuel-it dhe Dona Maria Victoria-s, apo i veshjes së tyre, siç është përshkrimi i veshjes së toreadorit në takimin e parë, fort i ngjashëm me “përshkrimin” që një ikonograf i bën veshjes së personazheve të një ikone, apo edhe të sfondeve të ndryshme nëpër të cilat lëvizin personazhet, siç shfaqen përshkrimet e arenës së korridës, apo e Toledos, apo e kështjellës së Dona Maria Victoria-s, sa për të sjellë në vëmendje disa nga shembujt më të spikatur.
Në këtë roman, elementet e ikonografisë jepen herë në formë të dukshme, herë në formë të ndërfshehur, si pjesë e poetikës së rrëfimtarisë. Kështu, për shembull, sikundërse ikona, edhe ky roman është gatuar i tëri me lëndë kujtesore; më pas, sikundërse vërejmë edhe në krijimet e tjera të Mira Meksit, edhe në këtë roman, struktura kompozicionale e rrëfimit jepet në përputhje me natyrën e lëndës, e përmbajtjes së vetë rrëfimit; struktura kompozicionale e këtij rrëfimi shfaqet në bërthamë e njëjtë me atë të një paraqitjeje ikonografike; njëlloj si ikona, E kuqja e demave është e strukturuar në formë labirintike dhe përbëhet virtualisht nga dy pjesë simetrike, të ndërlidhura me njëra-tjetrën në formën e enëve komunikuese: nga pjesa e së rrëfyeshmes, e së prekshmes dhe e së rrokshmes përmes shqisave, dhe nga pjesa e së parrëfyeshmes, e së paprekshmes dhe e së parrokshmes; pjesa e parë, që mbaron në çastin kur Teuta zbulon thelbin e “misionit” të saj në lidhje me ikonën dhe nis “rishtimin” në misteret e saj (kapitujt 1-5), mbisundohet nga foljet e “prekjes”, e “kontaktit”, e “aksionit” dhe e “lëvizjes”, ku koha rrjedh me një ritëm shumë më të përshpejtuar, ndërkohë që pjesa e dytë (kapitujt 6-10) mbisundohet së tepërmi nga foljet e “kundrimit”, “vështrimit”, ndërsa “lëvizja” dhe rrjedhja e kohës jepen sipas një ritmi shumë më të ngadaltë, dhe hera-herës ngrijnë, ndalen, të thëthirë nga syri soditës, të cilën gjatë pjesës së parë e hasim vetëm në dy-tri çaste ikonografikë, siç është ai i arenës së korridës, apo i Madridit dhe i vizitës në Museo Taurino, apo çasti kur Dona Maria Victoria përgatit llullat e opiumit etj.
Një tjetër element ikonografik është edhe ai i simbolikës së ngjyrave. Sikundërse vërejmë në hapësirën e një ikone, edhe në faqet e këtij romani ka shumë ngjyra, të cilat ndjekin një lëvizje sipas skemës ikonografike nga e errëta, drejt të ndritshmes; sikundërse vërejmë në hapësirën e ikonës, edhe në faqet e këtij romani, çdo lëvizje e penës-penel është e ngarkuar me një simbolikë të fuqishme, që shpeshherë kërkon një impenjim dhe një thellim jo të vogël për t’u zbërthyer në këtillësinë e vet kuptimore. I tillë shfaqet, për shembull, titulli. Më tepër sesa një metaforë, titulli i romanit është fryt i një lëvizjeje të penelit, mbart një simbolikë të mirëshënjestruar, dhe lidhet drejtpërsëdrejti me ikonografinë. Përpara se të nisë punën e tij imazh-shkruese, ikonografit i duhet të përgatisë “faqen” prej druri mbi të cilën do të “shkruajë”, çka jepet e përshkruar në vija të përgjithshme edhe në këtë roman; mbas kësaj, përpara se të nisë punën e mirëfilltë ikonografike, apo imazh-shkruese, ikonografi thotë një “Jisus Hristos Nika” - “Jisu Krishti triumfon” - dhe më pas vijon me fjalët: “të tërë fuqitë dhe pushtetet e së ligës shushavën marrin në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë, tani e përjetë dhe në jetë të jetëve amin”, duke hequr ndërkaq një vijë të trashë dhe të kuqe në të katër anët e faqes së drunjtë që pret të mbushet nga shkrimi imazhiv, për të larguar kësisoj shpirtrat e së ligës dhe për të bekuar hapësirën ikonografike, njëlloj si gjaku në dyert e natës së Pashkës hebraike që hasim tek Dhiata e Vjetër. Të njëjtën simbolikë mbart fuqishëm edhe titulli i këtij romani, porse me një ndryshim më se thelbësor; ndërsa tek rasti i ikonës, e kuqja simbolizon gjakun e Qengjit mbi portën e pjesëtarëve të popullit të zgjedhur, që në krishterim përkon me gjakun e Krishtit Jetëdhënës, tek titulli i romanit, e kuqja simbolizon gjakun e Demit, dhe përkon me gjakun e vetë Vdekjes; përmes këtij mbrapsht-kthimi apo përmbysjeje të ikonostasit, dhe duke përzgjedhur në morinë e të kuqeve (në ikonografi ekzistojnë mbi 15 “të kuqe”) “të kuqen e gjakut të Vdekjes”, Mira Meksi kristalizon një qasje krejt të re ikonologjike mes simbolikës që Demi përfaqësonte në viset e Greqisë së lashtë dhe asaj që hasim në traditën hebraiko-biblike, më konkretisht, atë të idhujtarisë, e cila sjell vdekjen, të perceptuar si largim i njeriut nga Hyu i vërtetë, apo si ndëshkim i këtij të fundit ndaj idhujtarisë. Sakaq, ky ndryshim thelbësor mëton të tregojë edhe diçka tjetër, më konkretisht “subjektin” e Kalimit (dhe Pashkë do të thotë pikërisht Kalim); ndërsa në Pashkën e Dhiatës së Vjetër kemi Kalimin e Hyut, në Pashkën e këtij romani kemi Kalimin e Vdekjes, prej nga romani sa vjen dhe bëhet më ngjethës, një thriller dramatik, që arrin pikën kulmore në episodin e zbulesës së frikshme me të cilën mbyllet romani. Dhe ky simbolizëm i Vdekjes shoqërohet edhe nga një mori elementësh të tjerë, që nga aroma e parfumit të krizantemave, deri edhe tek “flokët e kuqe” me të cilat Meksi kish përshkruar Vdekjen tek tregimi Zonja plakë e Parisit, pa harruar skenën e mbamendshme të natës së opiumit të mbushur me një klimë gati shekspiriane, ku Dona Maria Victoria u servir të ftuarve llulla pafund, ku vetëm ky detaj fare i vogël e shndërron përdorimin e opiumit nga një mekanizëm për të gjetur një ekstazë, apo tonalitet të mundshëm dhe të epërm krijues, në një shërbesë, a në një meshë të Vdekjes, e cila i mëkon, a ndoshta i kungon, përkorazi vdekatarët me “gjumë”, me “këtë vdekje të përditshme”, siç kumbojnë fjalët e Shekspirit tek Macbeth-i. Së fundmi, një tjetër element ikonografik që meriton vëmendje në këtë roman të Mira Meksit është edhe “subjekti” i imazhizmit; sikundërse ikona është një pasqyrim subspecie aeternitate e imazhit që shkruan, i prototipit të tij, edhe në faqet e këtij romani, lexuesi nuk haset me vdekjen e subjektit, por me vetë subjektin e Vdekjes, me prototipin e saj, dhe të tëra përshkrimet shoqëruese nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndriçojnë - herë me penelin e shtrydhur fort, për të krijuar një detaj, e herë me penelin e ngjyer bollshëm, për të krijuar një dallgëzim të misterit - vetë prototipin e Vdekjes.
Prej këtij kuadri ikonologjik të romanit të Mira Meksit, i cili mund të vijonte shumë më tej, besoj se bëhet mjaft e qartë përvoja nëpër të cilën priret të kalojë perceptimi dhe sistemi njohës i lexuesit. Sikundërse ikona, edhe ky roman mëton të jetë një portë e hapur drejt së padukshmes, drejt së epërmes, drejt së parrokshmes, drejt së befasishmes, qoftë edhe duke mbrapsht-kthyer paq kanonet e vetë gjinisë, ku rrëfimi fillon, si në rastin e Porfida - Ballo në Versailles, me një anticlimax të sinkopuar, që do të thotë shprehimisht këtu, me një perspektive rrëfimtare të përmbysur, porse pjesërisht, duke u nisur nga ajo pikë, që për këdo mund të tingëllonte si paraqitje in media res e asaj çfarë ka ndodhur, për të pritur kësisoj rrëfimin e mënyrës se si ka ndodhur, se si ka rrjedhur ngjarja e rrëfyer, për të na dhënë kësisoj mundësinë që hedhim një vështrim rreth gjithçkaje “në brendësi të kompozicionit”, njëlloj siç ndodh në rastin e ikonës, çka e gjejmë të shtjelluar edhe në faqet e këtij romani, tek episodi i bisedës misterioze që Teuta ka me Onufrin. Porse, ndryshe nga Porfida - Ballo në Versailles, përfundimi me të cilin na përball romani është jo vetëm i paparashikuar, por edhe larg kufizimeve dhe përkufizimeve të kanoneve të gjinisë, për aq sa nguti i ethshëm i ikjes me të cilin zanafillon romani përfundon me një mosikje të beftë dhe paqësore, duke krijuar një shtendosje të dramatikes, e cila shkreptin pa pritur e pa kujtuar, si rrufeja në qiell të kaltër. Dhe pikërisht kjo befasi, këto lëvizje plot zigzage, larg çdo skeme kanonike, të cilat i hasim të pranishme edhe tek hapësira ikonografike, janë gjithë sa na mbajnë gjithhershëm në suspense në tërë rrëfimtarinë e Mira Meksit, duke na shtyrë vazhdimisht drejt leximit të saj. Madje, më tepër sesa një herë.