BERZH financon transmetimin e energjisë në Shqipëri
Janë 50 milionë euro kredi për CEZ Shpërndarje, me qëllim transmetimin me eficencë të energjisë elektrike. Është BERZH, e cila po ndihmon me këtë kredi për të modernizuar rrjetin e energjisë elektrike në Shqipëri. Një kredi prej 50 mln euro për CEZ Shpërndarje, një shpërndarës privat i energjisë, do të modernizojë rrjetin shpërndarës të energjisë me voltazh të ulët dhe të mesëm. Kredia 12-vjeçare është bashkëfinancuar nga një kredi tjetër paralele 50 mln euro, nga një institut financiar ndërkombëtar. Investimet do të rezultojnë efikase dhe eficente për burimet ekzistuese të energjisë dhe për të rritur cilësinë e transmetimit të energjisë në rrjetin kombëtar shqiptar. Projekti i cili do të përfundojë në 2014, plani i modernizimit, do të ndihmojë në besueshmërinë e transmetimit të energjisë, duke reduktuar humbjet në rrjet. CEZ Shpërndarje gjithashtu do të instalojë parametra të rinj dhe do të implementojë një sistem të ri faturimi. Përveç kësaj, CEZ Shpërndarje do ta përdorë kredinë për të rifinancuar borxhet dhe për të optimizuar humbjet. “Banka është shumë e kënaqur për të mbështetur këtë projekt modernizimi, i cili do të ndihmojë Shqipërinë për të pasur një sistem të cilësisë së lartë energjetike. Investimet që do të bëhen nga CEZ Shpërndarje nëpërmjet këtij projekti do të përafrojnë standardet me sistemet e tjera energjetike ndërkombëtare”, tha Nandita Parshad, Drejtore për Energjinë në BERZH. Që prej fillimit të aktivitetin të saj në Shqipëri, BERZH ka investuar mbi 570 milionë euro në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.