E Diel, 1 Nëntor 2026

Instalohet sistemi i ri, energjia faturim për 30 ditë

SHKRUAN: Sabina Veizaj 02-07-2011 11:45

Të gjithë konsumatorët familjarë të energjisë elektrike, të cilët furnizohen me energji nga kompania CEZ Shpërndarje, nuk do të kenë më probleme me faturimin mbi 30 ditë, apo nën faturimin e energjisë. Të gjithë konsumatorëve tanimë, matësat e energjisë do t’u lexohen për plot 30 ditë. Në këtë mënyrë, përfituesit e faturës sociale nuk do të diskriminohen. CEZ Shpërndarje do të aplikojë një sistem të ri për të faturuar konsumin e energjisë elektrike. Sistemi i ri i përllogaritjes së konsumit të energjisë elektrike parashikon faturimin automatik të unifikuar, duke marrë parasysh një konsum prej 10 kwh në ditë me 7,7 lekë. Kjo mënyrë e re matjeje bëhet sipas CEZ, me qëllim që të zbusë impaktin negativ që ka sjellë deri më sot leximi në më pak apo më shumë se 30 ditë, në kushtet e aplikimit të çmimit me dy blloqe konsumi. Nga formula e re e llogaritjes së energjisë së harxhuar, përfitojnë edhe familjarët e keqfaturuar më parë. CEZ bën me dije se formula e re e përllogaritjes së energjisë së shpenzuar për bllokun social, i cili paguan 7,7 lekë/kah, do të aplikohet sipas konsumit ditor duke shumëzuar numrin e ditëve të faturuara me 10 kwh në ditë, që përllogaritet blloku i parë me 300 kw në muaj dhe koston prej 7,7 lekësh. Sipas CEZ, kjo përllogaritje do të bëhet për të shpërndarë dhe faturuar në mënyrë të drejtë konsumin e bllokut të parë në çdo muaj dhe për gjithë vitin. Formula në fjalë bazohet në datat e leximit të matësit dhe lejon trajtimin e drejtë të konsumit të çdo konsumatori familjar. Sistemi i ri i përllogaritjes së energjisë së konsumuar, argumentohet sipas CEZ edhe për korrigjimin e faturimeve të muajve të mëparshëm të ankimuara nga abonentë, për lexime mbi apo nën 30 ditë, të cilat do të rregullohen në mënyrë automatike në periudhat e mëvonshme të leximit. Për gjithë ankimet, tashmë në proces, CEZ Shpërndarje bën me dije se do të bëhet anullim i faturës historike të gabuar dhe përllogaritja e faturës së korrigjuar do të gjenerohet për të gjithë periudhën e faturimit, përfshi keqfaturimin, duke trajtuar kështu tarifën sociale, sipas blloqeve përkatëse. CEZ argumenton se ky aplikim i implementuar në sistemin e faturimit synon shmangien e çdo lloj diskriminimi, si në sensin pozitiv apo negativ të konsumatorëve të lexuar në periudha kohore të ndryshme nga 30 ditë. Duke iu referuar përllogaritjes sipas blloqeve, për të njëjtin konsum të lexuar, por në periudha të ndryshme kohore, konsumatori i lexuar në më shumë se 30 ditë do të paguante 290 lekë më shume, ndërsa konsumatori i lexuar në më pak se 30 ditë do të paguante 406 lekë më pak. Duke iu referuar disa përllogaritjeve konkrete, një konsumator që shpenzon 270 kwh, për 35 ditë lexim, e përfiton tarifën sociale për të gjithë konsumin e lexuar. Por, sipas CEZ nuk është e drejtë, që një konsumator tjetër, për të njëjtin konsum të lexuar, tashmë për 23 ditë (me konsum mesatar ditor 12 kwh), të përfitojë faturimin me tarifën sociale për të gjithë konsumin e lexuar. Për një konsum më të lartë ditor do të paguante të gjithë konsumin me tarifë sociale, përkthyer në vlerë leku, do të paguante më pak krahasuar me abonentin, konsumi ditor i të cilit është më i ulët. Konkretisht, konsumatori i parë do të diskriminohej në krahasim me të dytin, pasi ky i fundit do të paguante 232 lekë më pak për të njëjtin konsum të lexuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›