Qeveria miraton sot rritjen e pensioneve me rreth 6%
Qeveria do të miratojë sot ndryshimet në buxhet dhe rritjen e pensioneve, por jo rritjen e pagave. Sipas projektit që Ministria e Financave ka dorëzuar në qeveri, shpenzimet në buxhetin e shtetit shkurtohen me 16 miliardë lekë dhe pensionet pritet të rriten nga 4-7 për qind. Shpenzimet korrente do të jenë më shumë në fokus. Gjithashtu, sipas projektit të Financave, në fokus do të jetë edhe rishikimi i punonjësve në administratë, me qëllim reduktimin e saj. Të gjitha këto fonde do të racionalizohen për rritjen e pagave dhe pensioneve. Ndërkohë që Ministria e Financave ka përfshirë në një reformë të gjithë strukturën e shpenzimeve buxhetore, që do të reflektohet në rishikimin që është duke iu bërë buxhetit të këtij viti. Më këto shkurtime buxheti i të gjitha institucioneve do të rrudhet me 18 për qind. Ndërsa pavarësisht sugjerimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për shkurtime në masën 200 milionë dollarë, Ministria e Financave në projektin që ka dorëzuar tashmë në qeveri do të shkurtojë rreth 16 miliardë lekë ose 160 milionë dollarë. Në draftin e buxhetit të rishikuar është parashikuar që zëri i investimeve të shkurtohet me 9.3 miliardë lekë. Ministria e Financave ka konkretizuar draftin e rishikimit të buxhetit 2011 me parametrat e tij të rinj. Burime konfidenciale nga ky dikaster bëjnë të ditur për se zëri i investimeve do të shkurtohet me 9,3 miliardë lekë, ndërsa fondi total i shkurtimeve do të jetë rreth 16 miliardë lekë më pak, krahasuar me parashikimin e fillimit të këtij viti. Shkurtimet që prekin zërin e investimeve janë shqyrtuar me specialistë të ministrive të linjës për projektet e mundshme ku do të ndërhyhet. Sipas këtyre burimeve, sektorët që do të preken më tepër, do të jenë arsimi dhe shëndetësia, ndërsa rrugët dhe ujësjellësit nuk pësojnë ndryshime nga planifikimi i fillimvitit. Investimet në buxhetin e fillim vitit ishin 82.5 miliardë lekë, ndërsa me rishikimin e buxhetit të gjysmës së dytë të vitit, ato do të jenë në vlerën 73.2 miliardë lekë. Deri tani janë çelur mbi 2000 projekte, nga të cilat 50% e tyre janë realizuar, sqarojnë të njëjtat burime. Duke parë ecurinë e deritanishme në mbledhjen e të ardhurave, ky dikaster ka analizuar ecurinë e investimeve në projekte, në mënyrë që fondet e mbetura pezull në disa projekte të kalojnë në ato që po ecin më mirë. Këto ndryshime pritet të miratohen në Qeveri këtë javë. Kryeministri Berisha është shprehur se në ndryshimet në buxhet do të ulen shpenzimet për çdo institucion, ndërsa është premtuar se edhe këtë vit do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve. Sipas projektit të Ministrisë së Financave, rritja e pagave do të jetë në një mesatare rreth 4 për qind, me prioritet arsimin dhe shëndetësinë. Parashikohet që të vazhdojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin, duke realizuar objektivin për përafrimin e skemës së pensioneve të qytetit me atë të fshatit. Pagat e buxhetorëve, duke nisur nga viti 2011 dhe gjatë tre viteve në vazhdim, do të kenë një rritje më të moderuar, çka do të thotë që buxhetorët nuk do të përfitojnë më rritje pagash 10 për qind.