E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Qeveria mbështet prodhimin bio

01/07/2011  Ambasadorja zvicerane: Rasti i Gjermanisë shembull për bujqësore e ushqimit

Sipërfaqja me produktet “bio”, 5% e tokës bujqësore brenda vitit 2013

Bujqësia organike dhe promovimi i integrimit të Shqipërisë në tregun evropian ka qenë thelbi i diskutimeve dje në konferencën e parë kombëtare organike. Konferenca u organizua nga Shoqata Shqiptare e Marketingut, Instituti Kërkimor i Bujqësisë Organike (FiBL), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Ministria e Bujqësisë dhe shumë kompani e organizata vendase. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, vlerësoi nismën si shumë e dobishme për promovimin e ushqimit të shëndetshëm. “Ekspertiza dhe përpjekjet e projektit SASA kanë qenë thelbësore për t’i bërë produktet organike prioritet dhe për t’i përfshirë në skemën e subvencionit të Ministrisë së Bujqësisë. Bujqësia organike nuk sjell përfitime vetëm për prodhuesit dhe konsumatorit, por edhe për vendin, pasi promovon një mënyrë të qëndrueshme të burimeve natyrore që disponojmë”, - tha Ruli. Ivana Enzler, ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri ju referua situatës së vështirë në Gjermani. “Rasti i Gjermanisë duhet të na shërbejë si një shembull për të mos u harruar. Rëndësia e ushqimit në shëndetin dhe jetën tonë të përditshme është parësore. Bujqësia organike është përkujdesje për shëndetin dhe tokën ku ne jetojmë dhe punojmë. Jam shumë e lumtur tek shoh që njerëzit mendojnë se bujqësia organike është një rrugë e vlefshme drejt një mënyre më të shëndetshme të jetuari. Ne gjendemi tamam në një udhëkryq, pasi puna e disa “pionierëve të bujqësisë organike” në Shqipëri ka qenë e suksesshme dhe presim që edhe shumë të tjerë të kenë rezultate të qëndrueshme, të cilat përkthehen në më shumë eksporte, më shumë të ardhura, më shumë punësim dhe më tepër begati për vendin”. Aktualisht vetëm 4% e sipërfaqes totale bujqësore në vend përdoret për prodhimet “bio”. Synim i qeverisë është që kjo sipërfaqe të arrijë në 5% brenda vitit 2013.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›