BKT zgjidhet banka më e mirë për 2010
Banka Kombëtare Tregtare u zgjodh nga revista prestigjioze ‘EMEA Finance’ si Banka më e Mirë e Vitit 2010. Në ceremoninë e zhvilluar dje me këtë rast, në kështjellën ‘Schonbrunn’ në Vjenë, morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtari i Bordit Drejtues z. Seyhan Pencapligil, Anëtari i Bordit Drejtues Ismail Ergener dhe Nëndrejtori i Përgjithshëm për Thesarin dhe institucionet Financiare Kaan Pekin. EMEA Finance, një nga revistat financiare më të rëndësishme në botë, që ndjek zhvillimet ne tregjet financiare të Europës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës. ‘EMEA Finance’ shpërndan çdo vit çmimet për bankat dhe institucionet financiare më të mira në këto tregje. BKT është banka e dytë më e madhe në Shqipëri me 1.7 miliard dollarë asete dhe 1.4 miliard dollarë depozita. BKT, e cila pak kohë më parë festoi 85-vjetorin e krijimit të saj, është banka më e vjetër tregtare në vend, me një rrjet prej 77 degësh, 58 prej të cilave ndodhen në Shqipëri dhe 19 në Kosovë, duke e renditur BKT-në si banka shqiptare më e madhe në rajon. BKT, është vlerësuar vazhdimisht si banka më e mirë në Shqipëri, hera e fundit e të cilës ishte vlerësimi si ”Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2010” nga The Banker. BKT është e vetmja bankë, së cilës i është rikonfirmuar për të tretin vit radhazi nota AAA (Alb).