E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE,dyfishon fondin e emergjencës

Liderët e 27 vendeve të Bashkimit Europian kanë rënë dakord që të dyfishojnë fondin e emergjencës në ndihmë të shteteve anëtare që janë në vështirësi financiare. Një vendim i tillë është marrë në ditën e dytë të punimeve të samitit të udhëheqësve të vendeve anëtare në Bruksel. Fondi i emergjencës është dyfishuar në vlerë brenda një periudhe katërmujore. Tashmë ky fondi përmban 68 miliardë dollarë. Kryeministri i Çekisë, Mirek Topolanek, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së, deklaroi se shuma është në dispozion të atyre vendeve të BE-së që nuk kanë adoptuar akoma monedhën euro. Monedhat e disa vendeve anëtare të bllokut janë goditur shumë rëndë nga kriza ekonomike botërore. Vende si Hungaria apo dhe Letonia po marrin ndihmë nga fondi dhe në radhë për këtë është vënë tashmë edhe Rumania. Udhëheqësit e BE-së gjithashtu kanë rënë dakord që të shtojnë rezervat e Fondit Monetar Ndërkombëtar me më shumë se 100 miliardë dollarë. Por liderët e BE-së, të cilët po përgatiten për samitin e G20-ës që mbahet muajin e ardhshëm në Londër kanë kundërshtuar thirrjet e SHBA-së për të përdorur fonde të reja për të stimuluar ringritjen ekonomike. Presidenti i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso, u shpreh se masat stimuluese duhet të shoqëroheshin me reforma ekonomike. Kryeministri britanik Gordon Braun, vendi i të cilit do të presë edhe samitin e 2 prillit të G20-ës tha se huatë e reja të FMN-së do të ndikojnë në ndalimin e përkeqësimit të situatës. Ai shtoi se Bashkimi Europian është i sigurt se sistemi financiar është i pastër dhe i përgjegjshëm, si pasojë e rregullave strikte dhe transparenca. Ndërsa Presidenti francez Sarkozi nënvizoi se BE-ja kishte rënë dakord të implementonte reforma të rëndësishme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›