BISEDAT E PLOTA/ Paro Laçi: Fola me ministrin, do firmosë lejen për Bulqizën
Dosja për ish- administratorin e skuadrës së futbollit të Partizanit, Paro Laçi, tashmë është mbyllur dhe do dërgohet në gjykatë. Hetimet kanë zgjatur për shtatë muaj dhe akuzat që janë ngritur ndaj Laçit janë për korrupsion aktiv ndaj gjyqtarëve dhe për ushtrim të paligjshëm të ndikimit, vepër penale që lidhet me premtimin për sigurimin e një leje minerare kundrejt një shpërblimi. Çështja e parë ku në lojë kanë qenë 135 mijë euro është konsumuar në Shkodër, ku sipas prokurorisë pesë nga të pandehurit kanë vënë në dispozicion këtë shumë parash me qëllim korruptimin e gjyqtarëve. Rasti i dytë ka të bëjë me premtimin për dhënien e një leje minerare, duke ndikuar te ministri i Ekonomisë në muajin mars të këtij viti, kundrejt një shpërblimi.
Gazeta Mapo ka zbardhur të plota bisedat e përgjuara mes Paro Laçit dhe disa personave që kërkojnë lejen minerare. Nga hetimet ka rezultuar se Paro Laçi, nëpërmjet te pandehurit Radvist Dima, ka njohur të pandehurin Altin Xhura, ku të dyve u ka propozuar që të hapnin një biznes në fushën e kromit në Bulqizë, pasi të kishin gjetur një subjekt me dokumentacion të rregullt në Bulqizë. Gjatë procedurave të përgatitjes së dokumentacionit ligjor, kanë takuar një shtetas me emrin M. Sinani, i cili dispononte dokumentacion të rregullt ligjor në fushën e mineraleve, ku ky i fundit ka rënë dakord që të bashkëpunonte duke hyrë aksioner në masën 25%- thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas hetimit, pas kësaj marrëveshje, i pandehuri Laçi ka kërkuar nga dy të pandehurit të siguronin një shumë parash prej 75 mijë euro, për nxjerrjen e lejes, pasi duheshin për të paguar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen disa episode, ku Paro Laçi u deklaron bashkëpunëtorëve të tij se gjërat janë gati dhe zgjidhen për punë ditësh. Pasi kanë grumbulluar shumën prej 40 mijë eurosh, tre të pandehurit kanë lënë takim te lokal Tajvani, që të bisedonin se sa ishte shuma e grumbulluar për marrjen e lejes, të cilat do ti dorëzoheshin ministrit dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës- thuhet në dosjen e prokurorisë. Më tej përshkruhet se në takim Paro Laçi ka qenë i shoqëruar me te pandehurin Agron Laçi, kushëri e tij, i cili ka shërbyer si garanci dhe bindje për personat e pranishëm se premtimi i të pandehurit do të realizohej dhe se sasia e lekëve duhej shumë shpejt për ti dërguar në vendin e duhur. Gjatë bisedës së zhvilluar në këtë lokal të pandehurit Altin dhe Agron nuk janë bindur se duhej të dorëzonin shumën e kërkuar nga Paro dhe e kanë lënë që të takoheshin të nesërmen në mëngjes, pavarësisht se nga ana e tyre ishin siguruar dhe shkëmbyer me kartëmonedha me prerje të mëdha, shuma prej 40 mijë euro – thuhet në dosje. Sipas hetimit, rezulton se nga bisedat telefonike të përgjuara, për të arritur qëllimin e marrjes së lejes, të pandehurit Paro Laçi, është përpjekur të tregojë se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës te ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, por një gjë e tillë nuk është provuar nga hetimi.
Gjatë bisedave telefonike për këtë qëllim, ai ka pranuar se është takuar me ministrin dhe se ky i fundit ka filluar që të kryejë veprime sipas premtimit të Paro Laçi, ku është shprehur se U tha juristave bani gati memon, bëni shkresat me ja çu QKL-së dhe se sa te na hedhi neve QKL-ja në sistem, nesër firmoset leja- thuhet në kërkesën për gjykim. Një tjetër bisedë telefonike e përgjuar më 1 mars të këtij viti tregon se Paro Laçi u thotë personave të interesuar për lejen minerare se tani ka shku ai Meti ke ministri. Ministri i ka thon ta konfirmosh letrën. I ka thonë ministri tani – citohet biseda e përgjuar. Më pas i pandehuri u thotë dy personave të interesuar për lejen minerare: Jepja leket Metit t’ia çojë Meti. Ministri se ka frikë as Metin, as mu, ai me sqarovi mos me vij mo njeri për këtë punë. Edhe me ka thone qy ateherë, jam tu ta kry punën, pikë. Edhe janë kry gjonat, ti e din vetë shumë mirë, pa shku gjo, s’kry kush gjo.
Ndërkohë, në bisedat flitet edhe për mundësinë e dorëzimit të parave tek ministri. Laçi thotë se do ia dorëzojë paratë në stadium ministrit të mbështjella në gazetë. Megjithatë, Laçi shfaq edhe frikën se si do reagojë ministri ndaj këtij gjesti. Hetimi nuk ka provuar se Naço është ndikuar nga kjo ofertë apo që ka marrë paratë, duke lënë të hapur mundësinë që emri i tij të jetë përdorur.
Biseda e datës 25 shkurt mes Paro Laçit dhe të pandehurit Redvist Dima
Paro Laçi 06937…. me Visin.
PARO: A i ke ato kontratat me vete ti?
VISI: Po, me vete i kam.
PARO: Mirë, se do mundohem unë që të thërras në telefon nji që ka qenë shefi aty ke zyra, atje ke QKR-ja, ke aplikimi, shefi zyrës së aplikimit, ta pyesim si bëhet me këto klauzolat, e regjistron ajo, a se regjistron. Tashi është lëvizje që duhet me i bo me kujdes.
VISI: Po, normalisht.
PARO: A kupton, se ndërkohë që hedhim leket ne, jena ne or ti Vis. Unë e kam vështirë, se tashti, unë jam manget për 500 mijë lek, jo me gjet 50 mijë Euro. Tashi, e ke parasysh, duhet me fol me Mynyrin.
VISI: E di, atë i thashë edhe unë, i thashë hajde nesër biles, jo të hënën kur do ti.
PARO: Po të vijë kur të dojë, mu më duhet të hënën inxhinieri.
VISI: Ore, i thashë të vijë nesër, që të bisedojmë për paret njëherë, se ajo është… edhe kjo është shumë e rëndësishme, me diskutu.
PARO: Për çfarë?
VISI: Për paret, me i mbledh shpejt lekët.
PARO: Po pra. Por bo vaki Mynyri ska mor Vis.
VISI: Po kështu si duket po zvarritet me Altinin ai.
PARO: Si po zvarritet?
VISI: Po sikur si kam të gjitha tërrci vërrci, me kanë shku shumë shpenzime, ti e di, i thash, te Altinit.
PARO: Po çfarë do bëjmë tashti?
VISI: Po do gjejmë një zgjidhje, pa merak. Mos e vrit mendjen.
PARO: Merri ato kontratat njëherë, që kena bo, kena hy ke M…
VISI: I kam unë të gjitha kontratat me vete.
PARO: Ok, ta pyesim njëherë atë ne njëherë….
Biseda 2: Datë 01.03. 2011 13:40:25 Paro 693742 Visin 0695450
PARO: Ku ashtë Altini…
VISI: Altini është te gomisteria.
PARO: Shife tani. Fola unë me ato që u kry puna…
VISI: Po…
PARO: Që i tha ministri kur te kthehem e du letren mbi tavoline që ta firmos…
VISI: hë hë…
PARO: Më thanë e firmosi ministri. Unë i them atyne që e firmosi ministri, u kry puna, kupton? Tashi, s’u bë gjysem ore, dava një orë, me merr ky Mynyri. Më ka marrë Meti, tha, më ka thonë ministri ta kam kry punën. Kujt ja ka kry? Metit. I kishte thonë që po për këtë punë më ka hy dhe një person, filani. Tha, si ja jep emrin ti kësaj? A do me ta vu unë emrin? Të thash unë ty që e kryvi ministri? Ministri e kryvi, thash, kur ja kanë çu leket. I kemi thonë atit ne ja çum leket ministrit, kështu kemi për ti thonë këtit. Sot i kanë çu leket dhe ka firmos. Ska bo 30 minuta dhe ka firmos. Tashi, Meti ça don që shkon, a të kam thonë mos të shkojë Meti mo? Jo po andej, po këtej… Meti shkon tashi takon ministrin, ministri i thotë copë, dhe sja ka pranu, i ka thone o Met, une e kam kry atë punë se me ka hy dhe filani. Tashi për çfarë ja thotë që më ka hy dhe filani? Ja thotë qe une e kam kry prej filanit, keshtu eshte kuptimi. Nqs Meti e kupton, nëse se kupton, se tha mos luan ministri me dy porta… Meti i ka çu lek ministrit or ti? nqs i ka çu lek, e marr Metin perdore shkojme te dy ke ministri, e i them te ka dhone ky lek?…
VISI: Po. A i the kështu?
PARO: I thash ore…