BKT rizgjidhet si Banka e vitit 2011
Në vetëm pak kohë, Banka Kombëtare Tregtare ka marrë dy vlerësime shumë të rëndësishme që lidhen me performancën e saj në vitin 2011. Së fundmi ka qenë revista prestigjioze britanike EMEA Finance që e ka zgjedhur për të dytin vit radhazi, si Banka më e mirë e vitit në Shqipëri, duke vlerësuar këtu rritjen mbresëlënëse, performancën e lartë dhe inovacionin gjatë vitit të kaluar. Çmimi do ti dorëzohet BKT-së në një ceremoni që do të mbahet në Londër më 17 maj 2012. EMEA Finance është një nga revistat financiare më të rëndësishme në botë. Një tjetër vlerësim inkurajues vjen këtë herë nga JCR Eurasia Rating, e cila rikonfirmon notën AAA (Alb) dhe situatën si të qëndrueshme në terma afatgjatë në nivel kombëtar, që tregon nivelin më të lartë të investimit. Ky vlerësim i jepet BKT-së për të katërtën herë radhazi. Për më tepër, JCR-ER rrit Notën Afatgjatë Ndërkombëtare në Monedhë Lokale të BKT-së në BB+, paralelisht me rritjen e notës së vendit. Këto vlerësime nuk janë të vetmet që Banka Kombëtare Tregtare mori për 2011-n. WELLS FARGO, një nga bankat më të mëdha amerikane, i akordoi BKT-së çmimin 2011 Straight-Through-Processing (STP) Award për Cilësinë në transferimin e pagesave. Ky çmim konfirmon saktësinë dhe eficiencën e lartë të pagesave të kryera nëpërmjet BKT-së, gjë që ka sjellë edhe një rritje të kënaqësisë së klientëve. BKT, e cila së fundi festoi 86-vjetorin e saj, është banka e dytë më e madhe dhe njëkohësisht banka më e vjetër tregtare në Shqipëri me 1.9 miliard dollarë asete dhe 1.6 miliard dollarë depozita.