Tiranë, për 8 mijë familje nis kompensimi i taksës së pastrimit

Bashkia e Tiranes
Bashkia: Zbritet nga fatura e ujit. Listat me emra pranë Ujësjellësit.
Nis kompensimi i taksës së pastrimit për të gjitha kategoritë që e kishin paguar atë, ndonëse ligji i përjashton. Janë 8000 familje në kryeqytet, të cilave do tu kthehen mbrapsht paratë. Bashkia e Tiranës, ashtu siç kishte premtuar, do tu kthejë mbrapsht paratë atyre familjeve që për dy muajt e parë të këtij viti kanë paguar taksën e pastrimit. Bëhet fjalë për kategori të tilla, si pensionistët, invalidët, apo familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Pas miratimit nga Këshilli Bashkiak të vendimit për të transferuar pagesën e kësaj takse në faturën e ujit të pijshëm, ajo vilet bashkë më këtë të fundit. Vlera e saj është 420 lekë në muaj. Ndonëse disa kategori qytetarësh përjashtohen nga kjo taksë, e kanë paguar atë, pasi Bashkia nuk kishte adresuar tek Ujësjellësi listën e konsumatorëve. Mënyra e kompensimit për pagesën që është kryer për muajt janar dhe shkurt, do të bëhet duke zbritur faturën e radhës që është ajo e muajit mars. Nëse vlera do të jetë e pamjaftueshme për kompensim sipas faturës, atëherë ky kompensim do të vazhdojë dhe në muajt e tjerë, derisa të përfundojë si vlerë, që tashmë Bashkia i bie tu ketë këtyre qytetarëve, sqarojnë burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës. Lista e emrave që do të kompensohen për taksën e pastrimit, është hartuar nga Bashkia e Tiranës mbi bazën e dokumentacionit që kategoritë, të cilat nuk duhet ta shlyejnë këtë detyrim, kanë dorëzuar pranë njësive bashkiake përkatëse. Bashkia e Tiranës ka sqaruar se pranimi i dokumenteve që vërtetojnë se individi ose familja u përket kategorive që përjashtohen nga tarifa e pastrimit, do të vazhdojë pa u kufizuar në kohë dhe çdo përfitues do të kompensohet për paratë e paguara. Kategoritë e familjeve që përfitojnë nga përjashtimi i pagesës së tarifës së pastrimit, duhet të dorëzojnë pranë njësive bashkiake dëshminë e gjendjes së tyre, si më poshtë: certifikatën familjare, me kushtin që të jenë kryefamiljarë dhe pa persona të tjerë madhorë, përveç bashkëshortit ose bashkëshortes; librezën e veteranit ose invalidit të luftës, statusin e invalidit të punës, statusin e të verbrit, të sëmurëve paraplegjikë e tetraplegjikë; librezën e pensionit dhe vërtetimin nga njësia bashkiake për përfituesit e ndihmës ekonomike.
Kategoritë që rimbursohen
. Pensionistët. Veteranët
. Invalidët e luftës dhe punës
. Përfituesit e ndihmës ekonomike
. Të verbrit
. Të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë
ZIRINA LLAMBRO