Rrëfehet Liliana Hoxha: E vërteta e fotove me Sali Berishën
Kjo është pjesë e një interviste që Liljana Hoxha, gruaja e djalit të Enver Hoxhës i ka dhënë kolegut tonë Alfred Peza në Vizion Plus me rastin e botimit të një libri të saj rreth Enver Hoxhës dhe raporteve të familjes me të. Intervista reflekton disa ide fikse të saj rreth adhurimit që ka për Enver Hoxhën, të cilat i ndërthur me rrethana shpesh të paverfikueshme. Lidhur me fotot e saj dhe burrit të saj me Sali Berishën, shpjegimi është i turbullt, pasi Skënder Gjinushi nuk ka qenë kryetar Kuvendi në vitin 1990 1991′ por më 1997 2001. Redaksia e Fiks Fare dhe Gazeta Tema kanë një burim krejt tjetër nga shpjegimi i zonjës Hoxha, e cila të vetmen gjë të sinqertë që ka është adhurimi për Enver Hoxhën dhe Sali Berishën.
“Në vitet 1990, menjëherë pas pluralizmit me parlamentin e parë kur kryetar ka qenë Skënder Gjinushi, (Ne fakt ka qene Kryetar Kastriot Islami. Shenim i redaksise)PS nëpërmjet elementëve të caktuar kishte fotografi të Sali Berishës në shtëpinë tonë, në ditëlindjen tonë dhe donin ta emetonin atë. Atë ja kisha dhënë unë për kuriozitet një miku. Kur kam marrë vesh se kanë dashur ta emetojnë e kam kundërshtuar, se kam lejuar dhe i kam thënë që këto sjanë metodat e mia, nuk të lejoj ta emetosh. Siç nuk do të desha të kishte dalë kjo që ka dalë nga forca të tjera të cilat mbajnë çdo gjë nën dorë, si e si ta vënë kundërshtarin në pozitë të vështirë, siç do të më kishin vënë mua në pozitë të vështirë po të kisha ngecur diku. Por skam ngecur dhe skanë çfarë bëjnë dhe u ngelet kjo foto për të më luftuar edhe mua përveç Sali Berishës”- Liliana Hoxha.
- Të mërkurën u mbushën 27 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës, 11 prill 1985, këtë të mërkurë ishte 11 prilli i 2012-ës, ju vazhdoni të shkoni tek varri, i kryeni ritualet, ishit edhe këtë radhë?
Sigurisht, isha të mërkurën në orën 12.00, është ora jonë që shkojmë kur mendojmë se fluksi i njerëzve do të jetë pakësuar dhe ne synojmë që të shkojmë në privatësinë tonë, se ashtu vemi e nderojmë babanë tonë dhe nuk duam të trazohemi me përfitimet e politikës apo me trazimet e konjukturat që ndërrojnë çdo vit. Preferojmë ta nderojmë privatisht dhe pa ekspansion në shoqëri.
- A vutë re diçka të veçantë në raport me radhët e tjera?
Unë jam gjithmonë e sinqertë. Nuk mund ta mbaj sinqeritetin tim për çdo rast. Kishte më pak lule.
- Më pak lule se herët e tjera?
Po.
- Si e shpjegoni ju?
Nuk e di. Nuk ka shpjegim. Mund të jetë thjesht rastësi që njerëzit janë aq të vobektë, aq të vrarë, aq të shtypur nga brengat e jetës sa nuk kanë pasur, jo vullnetin, por ngaqë jetojnë në kushtet e mbijetesës, se zakonisht janë nostalgjikët që shkojnë tek varri i Enver Hoxhës, kanë qenë të pamundur për të vajtur kësaj radhe.
- Më shumti unë ju kam thirrur për librin tuaj që është fryt i një punë të jashtëzakonshme 10-vjeçare dhe si një nikoqire e mirë, si ajo nikoqire që i shpërndahen fëmijët, nipërit dhe mbesat nëpër botë, për shkak të zhvillimeve dhe hapjes së Shqipërisë. Dhe vjen një ditë si kjo dhe i mbledh në një tryezë, i bën një gosti shumë të mirë. Kjo gosti e ka titullin Pushtimi i brendshëm. Atëherë zonja Hoxha pse ky titull?
Sinqerisht unë e ndjej veten të varfër të flas me fjalë pasi kam bërë aq punë. Atë punë e kam qëndisur, kam menduar çdo fjalë që kam shkruar dhe është e zorshme që unë me pak fjalë të përmbledh atë që kam dashur të them me një vepër të tërë. Po, megjithatë, kuintesenca është kjo: Diktatura me egër se Staliniste është thënë, Enver Hoxha më i keq se Stalini etj,. Nuk është problemi i raportit tim personal, çfarë mendoj unë, çfarë ndjesish humane që domodoshmërisht mund ti kem, por është bindja që kam që komunizmi me gjithë të metat e tij duke degraduar në sistem totalitarist, nuk mund të ishte kaq i egër sa ishte ky tek ne. Ishte i tillë për aryse se Shqipëria historikisht ka qenë e rrezikuar kafshatë për tu kapërcyer, midis Serbisë edhe Jugosllavisë, pavarësisht nga presionet e tjera të jashtme, të kamufluara ose jo. Kështu që, kjo gjë që mbetet çështje objektive historike ska pse gjatë komunizmit të sfumohet dhe të harrohet nën fasadën e sistemit komunist, nën atë Kushtetutë sado gjakatare që të jetë ajo me gjithë problemet që do të sillte si rrjedhim luftën e klasave, izolimin, varfërinë etj., me radhë. Këto gjëra si kishte për qëllim, por ashtu ndodhi. Pse ndodhi? Se kishte diçka më të thellë që ne akoma sduam ta shohim dhe nuk duam ta shohim me qëllim.
- Cila është?
Agjentura. Rrejti agjenturor që kishte mbërthyer Shqipërinë përpara po se po, por fjala është pas çlirimit meqenëse se Shqipëria duhej të ishte një vend socialist si gjithë lindja dhe nuk duhet të ishte e pavarur, por duhet të ishte në tutelën jugosllave, siç edhe u pa, siç dukej ndihmesë internacionaliste në fillim dhe është pranuar normalisht prej Jaltes, por në fakt ka qenë një tutelë shoviniste dhe me qëllim për ta bërë dhe Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë.
- Ky është pushtimi i brendshëm, kjo është domethënia e titullit?
Kjo është domethënia e titullit: Agjentura. Agjentura është një rrjet i shpërndarë në mënyrë të tillë, maskuar qoftë edhe nëpërmjet Sigurimit që ishte një institucion shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e shtetit, nuk fajësoi të gjithë institucionin, por segmente të posaçëm të tij kanë qenë thjesht agjent në shërbim të interesave antikombëtare. Njerez si keta kanë kapur majat e pushtetit, kanë qenë në byro, kanë arritur deri tek Enver Hoxha, kanë qenë në ish-nomenklaturë siç duket dhe siç është akoma, dhe kanë përfshirë edhe vetë Elitën.
- Ky pushtim i brendshëm vazhdon sipas jush edhe pas vitit 1990?
Për mua vazhdon sepse mjafton edhe vetem si krahasim. Ishte sistem stalinist komunizmi në Shqipëri, ishte më i egër se të gjitha diktaturat evropiane, e vende komuniste të lindjes ?. Atëherë është shumë e thjeshtë të thuash: Eshtë tranzicion stalinist ky? Pasi është tranzicioni më i egër në të gjithë vendet e ish- lindjes.
- Në kopertinë është një femër me maskë veneciane. Çfarë do të thotë?
E mendova unë këtë. Si maskë veneciane nuk ka asnjë rëndësi, por vetëm ideja e maskës. Unë mund të bëja edhe diçka monstruoze , ndonjë pikturë, zgjidhje të famshme të piktorëve të mëdhenj. Por jo, thjesht, është një maskë që në vetvete është e bukur, interesante, joshëse, siç ka qenë ideali komunist, i cili nuk u zbatua ose u shpërdor. Por, në fakt fsheh krime të mëdha. Ka qenë një ballo me maska.
- Pse keni preferuar të përmblidhni pikërisht publicistikën tuaj nga gushti i 2003 deri në shkurt të 2012 kur keni dhënë intervistën e fundit që keni përfshirë në libër. Kjo ka qenë ajo periudhë ku ju e keni parë në mënyrën më të ngjeshur publikisht?
