E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Starmer dënon shkeljen e hapësirës ajrore polake nga dronët rusë

LONDËR, 10 shtator /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer dënoi “shkeljen e turpshme dhe të pashembullt të hapësirës ajrore polake dhe të NATO-s nga dronët rusë” dhe nënvizoi mbështetjen e Britanisë së Madhe për Poloninë dhe Ukrainën.

“Sulmi barbar i këtij mëngjesi ndaj Ukrainës dhe shkelja e turpshme dhe e pashembullt e hapësirës ajrore polake dhe të NATO-s nga dronët rusë janë thellësisht shqetësuese”, tha Starmer në një deklaratë.

“Ky ishte një veprim jashtëzakonisht i pamatur nga Rusia dhe shërben vetëm si një kujtesë për shpërfilljen e hapur të presidentit Putin për paqen dhe bombardimet e vazhdueshme që ukrainasit e pafajshëm i durojnë çdo ditë. Kam kontaktuar me kryeministrin polak këtë mëngjes për ta bërë të qartë mbështetjen tonë për Poloninë dhe se ne do të mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Ukrainën’’, theksoi Starmer.

“Falënderimet e mia të sinqerta shkojnë për forcat e NATO-s dhe ato polake që ndërhynë me shpejtësi për të mbrojtur aleancën. Me partnerët tanë – dhe përmes udhëheqjes sonë në koalicionin e të vullnetshmëve – ne do të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Putinit derisa të ketë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shtoi ai./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›