BM – Starmer kërcënohet nga rivalë të mundshëm majtas e djathtas për ta zëvendësuar

LONDËR, 14 maj /ATSH-AFP/ – Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me kërcënime gjithnjë e më të mëdha ndaj pozicionit të tij në qeveri, ndërsa rivalë të mundshëm brenda Partisë Laburiste po shfaqen si alternativa për ta zëvendësuar.
Sipas medieve britanike, ministri i Shëndetësisë Wes Streeting, i konsideruar pjesë e krahut të djathtë të laburistëve, mund të largohet nga qeveria për të hyrë në garën për drejtimin e partisë.
Ndërkohë, në skenë është rikthyer edhe Angela Rayner, ish-zëvendëskryeministre dhe figurë e njohur e krahut të majtë të Laburistëve.
Ajo njoftoi se ishte shfajësuar nga çdo shkelje në lidhje me një çështje tatimore që e kishte detyruar të largohej nga qeveria dhe nga postet partiake në shtatorin e kaluar.
Presioni ndaj Starmer është shtuar pas rezultateve të dobëta të zgjedhjeve lokale në Britaninë e Madhe javën e kaluar.
Situata u përkeqësua edhe më shumë pasi katër sekretarë shteti dhanë dorëheqjen dhe 86 deputetë laburistë, nga gjithsej 403, i kërkuan të largohej nga drejtimi i qeverisë.
Rayner deklaroi se administrata tatimore britanike, HM Revenue and Customs, e kishte liruar nga akuza se kishte tentuar qëllimisht të shmangte pagesën e taksave./ /Ad.Ab./ a.jor.