E Martë, 3 Nëntor 2026

Policia e Shtetit pjesë e operacionit ndërkombëtar kundër shfrytëzimit seksual të të miturve

TIRANË, 2 Prill /ATSH/ – Policia e Shtetit ka marrë pjesë në operacionin policor ndërkombëtar të koduar “Stream”, i cili kishte në fokus luftën kundër shfrytëzimit seksual të të miturve në internet.

Operacioni, i drejtuar nga Policia Kriminale Shtetërore e Bavarisë dhe Zyra Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), u mbështet nga EUROPOL dhe përfshiu agjencitë ligjzbatuese të 35 shteteve, mes tyre edhe Policinë e Shtetit.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas informacioneve të ardhura nga autoritetet gjermane dhe EUROPOL, referoi materialet në Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi procedim penal për veprën “Pornografia” me të mitur, ku dyshohej i implikuar një shtetas shqiptar.

Si rezultat i hetimeve, u identifikua dhe u ndalua shtetasi M. Z., 29 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lëshoi urdhër për kontrollin e banesës së të dyshuarit, ku u sekuestruan tre celularë dhe një laptop, që do t’i nënshtrohen ekspertizës kompjuterike.

Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të luftuar krimet kibernetike dhe për të mbrojtur të miturit nga abuzimi në internet.

Hetimi, i mbështetur nga Europol, u drejtua nga Policia Kriminale Shtetërore e Bavarisë (Bayerisches Landeskriminalamt) dhe Zyra Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimeve Kibernetike (ZCB). Në operacion morën pjesë mbi 35 shtete nga e gjithë bota.

“Hetimi ka çuar në identifikimin e gati 1 400 të dyshuarve në nivel global. Deri më tani, janë arrestuar 79 prej tyre për shpërndarje dhe publikim të materialeve me abuzim seksual të fëmijëve (CSAM). Disa nga të arrestuarit jo vetëm që ngarkonin dhe shikonin videot, por gjithashtu kishin abuzuar me fëmijë. Hetimet vazhdojnë”, njofton Europol.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›