BM – Starmer uron Trump për fitoren historike të zgjedhjeve në SHBA

LONDËR, 6 nëntor /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Keir Starmer tha se marrëdhënia e veçantë BM-SHBA do të “vazhdojë të përparojë” pas fitores historike të zgjedhjeve të Donald Trump.
Trump deklaroi se kishte arritur një “fitore madhështore për popullin amerikan” duke u kthyer në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Urime presidenti i sapozgjedhur Trump për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Mezi pres të punoj me ju në vitet në vijim”, tha kryeministri britanik, Starmer.
“Si aleatët më të afërt, ne qëndrojmë krah për krah në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sipërmarrjes”, shtoi ai.
“Nga rritja dhe siguria te inovacioni dhe teknologjia, e di se marrëdhënia speciale BM-SHBA do të vazhdojë të përparojë në të dy anët e Atlantikut për vitet në vijim”, tha ai.
Kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të shkaktojë “dhimbje koke diplomatike” për Britaninë e Madhe, mes mosmarrëveshjeve të mundshme në politikën tregtare dhe mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën dhe NATO-n. //a.i/