KIEV – Zelensky uron Trump për fitoren mbresëlënëse në zgjedhje

KIEV, 6 nëntor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka uruar kandidatin republikan Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA, megjithëse ende nuk është shpallur zyrtarisht fitues.
“Urime Donald Trump për fitoren e tij mbresëlënëse në zgjedhje!”, shkroi Zelensky në platformën X.
“Unë e vlerësoj angazhimin e presidentit Trump ndaj qasjes ‘paqe përmes forcës’ në çështjet globale”, tha ai.
“Ky është pikërisht parimi që praktikisht mund të sjellë më afër paqen e drejtë në Ukrainë. Unë shpresoj se ne do ta vëmë atë në veprim së bashku”, shkroi Zelensky.
“Mezi pres të përgëzoj personalisht Presidentin Trump dhe të diskutoj mënyrat për të forcuar partneritetin strategjik të Ukrainës me SHBA-në”, shtoi Zelensky.
Ukraina ka mbrojtur veten kundër pushtimit të plotë rus për më shumë se dy vjet e gjysmë me ndihmën perëndimore.
Trump premtoi gjatë fushatës së tij zgjedhore se do t’i jepte fund luftës në një kohë shumë të shkurtër.
Fox News e kishte shpallur tashmë kandidatin republikan Trump fitues të përgjithshëm kundër demokrates Kamala Harris, por rrjetet e tjera mediatike dhe agjencia amerikane e lajmeve AP nuk e kanë bërë këtë. Trump e shpalli veten fitues në një fjalim në Florida. //a.i/