E Shtunë, 31 Tetor 2026

BOTIM I HERËS SE PARË



Pozaet QOSE

GRATË E BORDURAVE

Nëpër bordura ulen gratë e shkreta,
me burra dhe pa burra janë ato.
Në shteg të psherëtimës u shkoi jeta,
si stinë e vetme dimri nëpër kohë.

Zënë kot më kot fëmijëve u bërtasin,
mes zemërimit thyejnë ndonjë pjatë.
Planet të jetës mund ta kthenin Marsin,
veç këtë dhembje s’e durojnë më gjatë.

Pa skaje, pritja ua tmerron ditën,
mes ëndrrave të frikëshme nata shkon,
sepse për burrat jeton folja “ikën”
kur folja “erdhën” s’dihet pse mungon.

REKUIEM I KALTËR

Xixëllonjë e djegur
në prushoren e syve të mi,
cila është tani anija jote,
kur endesh si një bijë e humbur Noeje,
që mbart me vete zërat e të dashurve,
për t’i shpëtuar nga përmbytja e madhe e të mosqenit?!
Dora e ikjes së bukur të rikthen dritën,
të çmend nga ëndrra, që e pashë i vetmuar në natën e ndritur
e askujt s’ia thashë se nuk desha ta humbisja, duke e ndarë
me të tjerët. Oh, kaq e vogël,
sa e para shkëndijë zjarri, që e joshi njeriun
drejt së panjohurës vrasëse, që shkëlqente me dritë
të gënjeshtërt lumturie. Prehu në atdheun
e fjalës sime, me një flamur të kaltër mbi varrin tënd të vogëlth,
që gumëzhin nga zërat e shtegtarëve të panumërt,
të cilët vijnë të shohin shëmbëllimin e harruar të vetes
në pasqyrën e thyer të gjakut.

PËRPARA NJË FËMIJE

Fëmijë i bukur, me karrocën tënde
gëzimin fton, si mikun më të mirë
dhe më largon nga lajkatarja çmendje,
më bën si ti; të bukur e të dlirë.

O vogëlush, tani unë, po të mundja,
si akullore qiellin do ta jepja,
që ti të çuçurisje si pëllumbat,
të shkoje turravrap te buzëqeshja.

Po ja që s’mundem ç’dëshiroj me shpirt
ty, çast i kaltër, të ta bëj dhuratë,
prandaj te porta e faljes, si një mik,
do të trokas pareshtur ditë e natë.

YLBERI I FJALËS SATE

Ylberi në ujëvara është i bukur,
por s’të trondit, kur shfaqet aq i qetë.
Ylberi i fjalës sate plot mistere
dhe flokët m’i rrëqeth, si një kometë.

Vështrimi yt, si rrjetë e merimangës,
më lidhi brenda vetes egërsisht.
Ankthohem, si një mish që dhemb prej plagësh,
por fatit s’mund t’i shmangem, ti ta dish…

Përplasem, si i verbër, me vetveten
nga terri që më sjell prej largësisë,
thërrmohem, si nën diell pikë e vesës,
krijohem prej dëshirës si një shpirt.

TOMORI ME RE

Kujt kërkon t’i fshihesh vallë,
prej kujt ndien turp tani,
gjysh i bukur, si përrallë,
që ndan nder e mençuri?

Këto lule në shkëmbenj,
me petalet diell, mjaltë
shkelin syrin, më bëjnë shenjë
thinja, rrudha t’i flak larg.

Prej atyre më mbyt turpi,
por të shihem s’di se ku,
ndaj mbuloj me re gjithe trupin
dhe nis këngën për te ju…

NJË ZILE TELEFONI

Më ndan pa peng nga vdekja lajkatare
një zile telefoni në mesnatë.
ku ishin drurët, shfaqen shtojzovalle
dhe bukurisht baresin nëpër natë.

Lart hëna, e braktisur, e vetmuar,
që digjet s’di për kë edhe përse,
sheh veten nëpër udhën e harruar
të ndrijë plot hir, porsi një vajzë e re.

U fryjnë bulkthat trompave të ëmbla,
si himn për jetën, që po prehet pak.
Një fotoje bajate i ngjet ëndrra,
kur digjet xixëllonja nëpër flakë.

Me zemrën plot shoh botën e pasosur,
që gjumin e ka ngritur si një çark,
ku bien njerëz, që s’i ka marrosur
një zile telefoni në mesnatë.

BLERËS I PAFAT

Prapë bateritë për radion nuk u blenë,
cigaret varg u dogjën me trishtim,
acari vrau sythat nëpër pemë,
si një bandit vret pengjet në një film.

Mërzinë e flaka në rrëketë e gjumit,
që përsëri ta gjeja një mëngjes
të ngrirë kallkan, si stalaktit i unit,
që lëngon gjatë, pa mundur dot të vdesë.

Në qindra rrathë dëshirash tretem heshtur,
si guri, që prek dallgët me gjëmim,
pa ditur çfarë kam humbur e kam gjetur,
si blerës i pafat i fatit tim.

E DASHUR…

Pranë teje tani bota ndrin kaq shumë ,
çdo gjë rreth meje çel veç tinguj këngësh.
Pyes me habi veten: a jam unë
që e shoh zemrën me dy sytë e ëndrrës?

Ndaj vetja nuk më duket hije hiçi,
se ëmbël ti më sheh, porsi një nimfë.
Kur një vështrim më ngjiti majë Olimpit,
po puthja nëpër ç’qiej më degdis???

Eh, sot më pak se kurrë i duhem vdekjes!
Le të kërkojë të tjerë t’i marrë në gji,
sepse çdo çast jetoj dhe për një tjetër
dhe fle e zgjohem nëpër shenjtëri.

GARDËROBA E VERËS

Krahë të tejdukshëm gjinkallash
fëshfërijnë në piklat e nxehta të djërsës
dhe shndërrohen në bronz të ëmbël,
që ëndërron puthje të nxehta e prekjet e gishtave,
të fshehura në minierën e kaltër të ujërave,
ku këndojnë sirenat e dehura. Buzëqeshin peshqit bankierë,
duke numëruar luspat e ndritëshme dhe nisin transaksione,
që zhvlerësohen nga të qeshurat e gëzueshme të vajzave
të bukura, që mbeten prapë të panjohura, edhe pse janë parë
kaq herë me kohën e me njëra-tjetrën. Një kanisk vështrimesh
taksin për diellin dhe ndezin të kuqen për arsyen,
duke u shpërbërë në çaste shumëformëshe zhurmash.

Akrepat e orës janë vetëflijuar në shtratin e harresës.

21 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›