E Shtunë, 31 Tetor 2026

RUHUNI NGA… BOJA



Me ritmet e nisura, me progresin në rritje, brenda shtatë viteve një në çdo pesëdhjetë shqiptarë do të ketë një gazetë, një në dyzet të tjerë do të ketë në pronësi një shtëpi botuese dhe një në pesëmbëdhjetë shqiptarë do të ketë botuar nga pesë libra poetikë me frymë patriotike a dashurore, duke rrokur edhe zhanre te harruara si soneti, zhanre rimoderne si haiku. Ndërsa në prozë pritet të botohen tetralogjia "Mani i Boboshticës - Shpirti i rakise", romani me trembëdhjetë volume “Rrapi i Bezistanit”, katërmbëdhjetë volume do të ketë studimi "Kullat e Pukës dhe mullinjtë e bukës", e plot vepra të tjera që familjarët e autorëve mezi po i presin.

Që të realizohen këto projekte, të cilat po rendin guximshëm, duhet letër. A thua do të mjaftonin pyjet e Norvegjisë e të Kanadasë? Pastaj duhet bojë. Bojë me shumë se naftë. Boja do të rrjedhë e do të rrjedhë nga çisternat e vaporave në shtypshkronjat e pronarëve. Bota do të zhvishet nga gjelbërimi. Po ngrohja globale? Kush pyet para famës së pritshme të një populli artdashës! Tregtarët e bojës do të fitojnë më shumë se ata të armëve. E do të vijë dita që revista prestigjioze "Forbes" të radhisë ndër miliardierët e botës tregtarët shqiptarë të bojës dhe të letrës. Të tjerët pandehin se duhet ruajtur planeti nga uji, ndërsa ne po provojnë rrezikun që vjen nga boja.

Vaid HYZOTI

Kur presidenti i Amerikës George W. Bush, në fjalimin e tij të përvitshëm për drejtimet kryesore të qeverisë për këtë vit, preku edhe problemin e ngrohjes globale dhe masat që do të ndërmarrë qeveria amerikane, pati njëlloj lehtësimi për të gjithë. Se Amerika, ashtu si të gjitha vendet e industrializuara të planetit, ka një peshë të ndjeshme në krijimin e efektit serrë, që çon në ngrohjen globale.

Por jo gjithçka shkon si në vaj. Komisioni i posaçëm i OKB-se dhe Al Gore, nobelistët e vjetshëm mbi shqetësimin e ngritur për efektet dhe masat që duhen marrë për të mbrojtur Antarktidën nga shkrirja e akujve, si dhe planetin nga përmbytja, në fletoret e tyre të shënimeve kane vënë në rreth edhe Shqipërinë. Madje, pesha e saj llogaritet edhe më e madhe se e shumë shteteve të industrializuara.

Ngjan si paradoks që, në një vend ku industria prej vitesh është në agoni, në një vend ku industrialistët po i shesin fabrikat vetëm si godina banimi, në një vend ku një e katërta (në mos më shumë) e fuqisë punëtore ka mësyer vendet e tjera si refugjatë... dhe pikërisht Shqipërinë e paraqesin të rrezikshme. Ndofta ata kanë fakte se malet i zhveshëm nga pyjet, se çuditërisht shqiptarët ende përdorin drurin si mjet kryesor ngrohjeje për dimër. Gjithësesi, këto arsye e të tjera as që duheshin përmendur. Komisioni i OKB-se dhe Al Gore nënvizojnë: SHQIPTARË, RUHUNI NGA BOJA! Boja po shkatërron Shqipërinë, madje po ndikon në avancimin e ngrohjes globale.
Të flasim më shkoqur. Me ritmet e nisura, me progresin në rritje, brenda shtatë viteve një në çdo pesëdhjetë shqiptarë do të ketë një gazetë, një në dyzet të tjerë do të ketë në pronësi një shtëpi botuese dhe një në pesëmbëdhjetë shqiptarë do të ketë botuar nga pesë libra poetikë me frymë patriotike a dashurore, duke rrokur edhe zhanre te harruara si soneti, zhanre rimoderne si haiku. Ndërsa në prozë pritet të botohen tetralogjia "Mani i Boboshticës - Shpirti i rakise", romani me trembëdhjetë volume “Rrapi i Bezistanit”, katërmbëdhjetë volume do të ketë studimi "Kullat e Pukës dhe mullinjtë e bukës", e plot vepra të tjera që familjarët e autorëve mezi po i presin.
Sigurisht, në këto plane madhështore shkrimtarët e njohur do të përballohen me sfida të mëdha. Kështu, pritet të harrohen, madje te quhen demode shkrimtarë si Migjeni, Ismail Kadare, Martin Camaj, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Zija Çela, ndërsa plejada me Roland Gjozën, Arian Lekën, Agron Tufën etj. nuk do të ketë të ardhme. Letërsia e përbotshme do të shpallet e pavlefshme për kohërat moderne që kalojnë shqiptarët. Lamtumirë amerikano-latinë, ju të famshëm rusë e francezë, ju hispanikë, ju klasikë indianë e kinezë, ju Khajamë që dashuronit tërë ndjejë, ndërkohë që seksi në kohën moderne qenka kthyer në mall tregu.
Që të realizohen plotësisht këto projekte, të cilat po rendin guximshëm, duhet letër. A thua do të mjaftonin pyjet e Norvegjisë dhe të Kanadasë për letrën që duhet konsumuar? Duhet bojë. Bojë me shumë se naftë. Boja do të rrjedhë e do të rrjedhë nga çisternat e vaporave në shtypshkronjat e pronarëve. Bota do të zhvishet nga gjelbërimi.
Po ngrohja globale? Kush do të pyesë para famës së pritshme të një populli artdashës! E tregtarët e bojës do të fitojnë më shumë se tregtarët e armëve. E do të vijë dita që revista prestigjioze "Forbes" të radhisë ndër miliardierët e botës tregtarët shqiptarë të bojës dhe të letrës.
Të tjerët pandehin se duhet ruajtur planeti nga uji, ndërsa ne po provojmë rrezikun që vjen nga boja.

21 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›