E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cila është shtëpia jote?



Sandra CISNEROS

Ne nuk banuam gjithnjë në rrugën Mango. Para saj banonim në Loomis, në katin e tretë, kurse ende më përpara banonim në Keeler. Para Keeler-it ishte Paulina, kurse para saj nuk më kujtohet. Mirëpo ajo çka kujtoj më së shumti, është zhvendosja jonë e shpeshtë.
Sa herë që zhvendoseshim, dukej sikur do të shtoheshim me një pjesëtar tjetër. Në kohën që u vendosëm në rrugën Mango, ne ishim gjashtë: mamaja, babai, Carlosi, Kiki, ime motër Nenny dhe unë.
Shtëpia në rrugën Mango është e jona dhe nuk na duhet t’i paguajmë qira ndonjërit apo ta ndajmë oborrin me njerëzit poshtë nesh, apo të jemi të kujdesshëm që të mos bëjmë shumë zhurmë, dhe nuk ka një pronar shtëpie që t’i bjerë fort tavanit me fshesë. Megjithatë, kjo nuk është shtëpia që kishim menduar se do të gjenim.
Na u desh ta linim shpejt apartamentin në rrugën Loomis. Tubacionet e ujit u prishën dhe pronari nuk kish ndër mend t’i riparonte, sepse shtëpia ishte shumë e vjetër. Na u desh të largoheshim shpejt. Na ra të përdornim tualetin ngjitur me ne dhe ta ruanim ujin që na tepronte nëpër mbajtëse qumështi pesëlitërshe boshe. Ja pse mamaja dhe babai kërkonin një shtëpi dhe pse ne u zhvendosëm në rrugën Mango, tepër larg, në anën tjetër të qytetit.
Ata na thonin gjithmonë se një ditë do të zhvendoseshim në një shtëpi, në një shtëpi të vërtetë, e cila do të ishte e jona përgjithmonë dhe kësisoj nuk do të na duhej të zhvendoseshim për vit.
Dhe shtëpia jonë do të kishte ujë të rrjedhshëm e tubacione që funksiononin. Dhe brenda saj do të kishte shkallë të vërteta, jo shkallë korridori, por shkallë të brendshme si në ato shtëpitë në TV. Dhe do të kishim një bodrum dhe të paktën tri tualete që, kur të bënim banjë, të mos e merrte vesh gjithë lagjia. Shtëpia jonë do të ishte e bardhë, me pemë rreth e qark, me një oborr të madh dhe me barin që do të rritej pa ndonjë mur rrethues.
Kjo ishte shtëpia jonë për të cilën fliste babai, kur shtrëngonte ndonjë biletë llotarie, dhe shtëpia që mamaja përfytyronte në historitë që na rrëfente para se të flinim.
Mirëpo shtëpia në rrugën Mango nuk është aspak ashtu siç e tregonin ata. Është e vogël dhe e keqe, me shkallë të ngushta përpara dhe me dritare aq të vogla, sa mendoje se mezi merrnim frymë.
Tullat janë të thërrmuara vende-vende dhe dera kryesore është aq e fryrë, sa të duhet ta shtysh fort për të hyrë. Para saj nuk ka oborr, përveç katër vidheve të vogla, të cilat qyteti i mbolli pranë buzës së trotuarit. Në thellësi të pjesës së pasme, ndodhet garazhi i vogël për makinën, që ende nuk e kemi dhe një oborr i vogël, që duket edhe më i vogël ndërmjet dy ndërtesave nga të dyja anët. Në shtëpinë tonë ka shkallë, por ato s’janë veç ca shkallë të zakonshme korridori dhe në banesë ka vetëm një tualet. Gjithsecilit i duhet të ndajë nga një dhomë gjumi: mamaja me babain, Carlos-i me Kiki-n, unë me Nenny-n.
Njëherë, kur jetonim në Loomis, një murgeshë e shkollës sime kaloi aty pari dhe më pa duke luajtur jashtë oborrit. Lavanderia me vetëshërbim në katin e parë ishte e mbuluar me një shtresë dërrasash të mbërthyera, ngaqë dy ditë më parë e kishin grabitur dhe pronari kishte shkruar me bojë mbi to: Po, hapur, sa për të mos humbur biznesin.
- Ku banon? - më pyeti ajo.
- Atje, - i thashë duke i treguar me gisht katin e tretë.
- Ti jeton atje?
- Atje. M’u desh të shikoja andej nga tregoi ajo – katin e tretë, lëvoren e lyer të drurit dhe shufrat e drunjta, të cilat babai i kishte mbërthye mbi dritare që ne të mos rrëzoheshim.
- Ti jeton atje?
Mënyra sesi e tha, më bëri të ndihesha një hiç. Atje. Atje jetoja.
Pohova me kokë.
Qysh atëherë e dija që duhej të kisha një shtëpi. Një shtëpi të vërtetë. Një shtëpi që të mund t’ua tregoja të tjerëve. Mirëpo kjo nuk është e tillë. Shtëpia në rrugën Mango nuk është shtëpi. Hë për hë, thotë mamaja. Përkohësisht, thotë babai. Por unë e di si janë këto punë.

Çfarë thoshte Sally

Ai kurrë s’më qëllon fort. Ajo i thoshte s’ëmës t’ia fërkonte me sallo të gjitha vendet ku i dhimbte. Pastaj në shkollë do të thoshte që u rrëzua. Ja shkaku i të gjitha vendeve të nxira. Ja pse lëkura e saj është përherë me dregëza.
Po kush e beson atë, se!
Një vajzë aq e rritur, një vajzë që hyn me fytyrën e saj të bukur të goditur dhe të nxirë, nuk mund të rrëzohet nga shkallët. Ai kurrë s’më qëllon fort.
Mirëpo Sally nuk flet për kohën, kur ai e qëllonte me duart e veta tamam sikur të isha qen, thoshte ajo, sikur të isha kafshë. Ai mendon se unë do të iki ashtu si të motrat, që ia nxinë faqen familjes. Vetëm sepse jam e bija, dhe pastaj ajo nuk flet.
Sally kishte ndër mend të merrte leje për të ndenjur pak te ne, kur një të enjte ajo erdhi më në fund me thesin plot me rroba dhe me një qese letre me shpretkë të gjallë, që ia dërgoi e ëma. Dhe do të kishte ndenjur gjatë, sikur ai të mos trokiste atë natë në derën tonë dhe, me sytë e zvogëluar nga të qarët të mos i thoshte, të lutem, kthehu, kjo është hera e fundit.
Dhe ajo tha babi e u kthye në shtëpi.
Në atë rast s’qe e nevojshme të shqetësoheshim. Gjer kur një ditë, i ati e kapi Sally-n duke folur me një djalë dhe të nesërmen ajo nuk erdhi në shkollë. As të pasnesërmen. Gjer kur, siç thotë Sally, ai shkalloi, harroi se, i tëri dhe i bëri, ishte i ati i saj.
Ti nuk je ime bijë. Dhe pastaj e shqepi në dru.

Trëndafilat e linoleumit

Sally u martua, siç e dinim se do të martohej, e re dhe e papërgatitur, por megjithatë u martua. Ajo takoi një tregtar që shiste karamele qumështi në një treg shkolle dhe u martua me të në një shtet tjetër, ku është e ligjshme të martohesh pa vajtur në klasën e tetë. Tashmë ajo ka burrin dhe shtëpinë e vet, këllëfët e jastëkët e vet, dhe pjatat e veta. Sally thotë se është e dashuruar, por unë mendoj se ajo u martua për të shpëtuar nga shtëpia.
Sally thotë se i pëlqen të jetë e martuar, sepse tashmë mund t’i blejë gjërat e veta kur i jep parà i shoqi. Ajo ndihet e lumtur, përveç rasteve kur i shoqi zemërohet, madje njëherë ai e shpërtheu me dhunë derën ku i ngeli këmba, megjithëse më të shumtën e ditëve është në rregull. Vetëm se ai nuk do që të flasë në telefon. Dhe nuk e lë të shohë nga dritarja. Dhe nuk ia ka qejfi miqtë, prandaj askush nuk i vjen për vizitë, po të jetë ai në punë.
Sally rri në shtëpi, ngaqë ka frikë të dalë pa lejen e tij. Ajo shikon gjithçka që ata kanë: peshqirët dhe thekësen e bukës, orën me zile dhe perdet. Asaj i pëlqen të shohë muret, sa mjeshtërisht puthiten cepat e tyre, trëndafilat e linoleumit mbi dysheme, tavanin e lëmuar si një tortë martese.

Shtëpia ime

As apartament. As banesë në fund të botës. As shtëpi burri. As shtëpi babai.
Por një shtëpi krejt imja.
Me verandën time, me jastëkun tim, me petuniat e mia të bukura të purpurta. Me librat e mi dhe me ndodhitë e mia. Me dy këpucët e mia duke pritur ndanë shtratit. Pa askënd që ta bën pis vendin.
Vetëm një shtëpi të prajtë si bora, një hapësirë për mua, të bardhë si fleta para lindjes së poezisë.

Përktheu Ilir Sofroni

21 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›