Shëtitje të gjata, pritje me lule dhe pula
Biografi i Apolinerit, Francis Stegmuller, thotë se Apolineri u përpoq ta shkruante fjalën "Chkipe" thjesht për të thënë “shqiptar”. Por Apolineri ndoshta ka dashur të shprehë admirimin e madh për Konicën, duke e quajtur "Chkipe" me kuptimin Shqipojë. Lidhur me çështjen fetare, miqësia e bashkëpunimi i mëvonshëm me Fan Nolin klerik tregojnë se Konica nuk kishte asgjë kundër fesë si ushqim shpirtëror. Duket se mosdashja e tij drejtohej më tëpër ndaj fesë si insititucion apo si fe-shtet. Apolineri e bën këtë krahasim të Konicës në fushën fetare me Prosper Merimenë (1803-1870, shkrimtar e historian). Por këto dy fugura përkojnë edhe në fusha të tjera.
Apolineri vazhdon: “Megjithatë, liria ashtu siç kuptohej ajo në Bruksel, nuk e kënaqi Faikun më shumë sesa sa liria që kishte provuar në Paris. Një ditë ai e pati punën keq, kur një polic e ndaloi në rrugë. “Nga jeni?”, e pyeti polici. “Albania”, u përgjegj Faiku. “Adresa?”, e pyeti përsëri polici. “Rruga Albania”, ia ktheu Faiku. “Profesioni?” “Redaktor i Albanias”, thotë Faiku. “Po talleni me mua?”, reagoi polici i zemëruar. Dhe patrioti shqiptar e kaloi atë natë në stacionin e policisë, derisa çështja u sqarua." Apolineri tregon se Konica mundohej e shpenzonte shumë për botimin e revistës Albania. Në kapakun e revistës, si emblemë, ishin armët e mbretërisë së ardhshme të Shqipërisë.
“Mua më bënte gjithnjë e më shumë përshtypje miqësia që Faiku tregonte për mua. Unë isha në gjendje ta kuptoja se ajo ishte një ndjenjë e pastër që rridhte natyrshëm prej tij. Thuaj si të gjithë shqiptarët me prejardhje nga familje të njohura, Faiku kishte prirjen për t’u pushtuar nga mania e persekutimit, shqetësim i madh deri në dëshpërim. Dhe shqetësimet e tij merrnin forma nga më të çuditëshmet. Pasi blinte diçka në dyqan, Faiku gjithmonë largohej me frikën se shitësi do të vraponte pas tij per ta akuzuar se e kishte vjedhur mallin. “Si do t’ja provoja se nuk e kisha vjedhur?” thoshte gjithmonë Faiku.”
Shumë pak dihet për jetën intime të Konicës. Apolineri thotë se, kur bëri vizitën e tij në Londër më 1904, Konica ishte i martuar. Por një dritë të zbehtë mund të hedhë edhe një tjetër fakt. Në një intervistë në në vitin 1951, Annie Playden, mikesha e Konices, thotë: “Në maj të vitit 1904, Apolineri erdhi në Londër dhe vazhdonte të ishte shumë këmbëngulës për t’u martuar me mua. Më në fund, për ta hequr qafe, i thashë se më duhej të shkoja në Amerikë, ku më priste i dashuri. Sigurisht kjo ishte një gënjeshtër, por që të mos dukej e tillë, unë shkova në një agjenci punësimi, e cila më gjeti punë si guvernante në Shtetet e Bashkuara.”
Astrit LULUSHI (SHBA)
Faik Konica, një nga figurat më të mëdha intelektuale shqiptare të dekadave të para të shekullit XX, njihet edhe si një nga personalitetet me karakterin më të komplikuar. Konica do të vazhdojë të mbetet figurë e debatueshme. Kjo jo për të vënë në dyshim vlerat e tij, por për t’i vërtetuar bazuar në thënien se vetëm ata, që kërkojnë të lavdërohen nga të gjithë, ka të ngjarë të mos kenë ndonjë vlerë.
Me dyfytyrësinë e tij, Janus, Janari, kjo Perendi romake, përfaqesonte diellin dhe hënën. Ai simbolizonte kalimin nga një vit në tjetrin, nga e kaluara në të ardhmen. Midis dy vizioneve, ai ishte përfaqesues i ndërmjetëm midis dy botëve, barbarisë e qytetërimit. Për Konicën, që njihet gjithashtu si një nga personalitetet me karakterin më të komplikuar, parimi “miku i mikut tim eshte miku im” nuk funksiononte; mikun e sotëm e sulmonte të nesërmen dhe kundërshtarin e djeshëm e lavdëronte. Ishte kjo një dobësi e Konices, apo përpjekje e natyrshme drejt rritjes e pasurimit të karakterit? Dihet se ndryshimi në përgjithesi është dalje nga status-quoja, përpjekje për t’u rritur, zgjeruar, pasuruar, përsosur. Për këto arsye, si dhe falë përfshirjes në listën e figurave të ndaluar për rreth 5 dekada nga ana e ish-regjimit komunist, mund të thuhet se Konica do të vazhdojë të mbetet figurë e debatueshme.
1.
Zyrtarisht ose jo, gjatë gjithë jetës së tij Konica sherbeu si ambasador i kombit te vet. Shpesh është folur për natyrën e tij cinike e inatçore, por edhe karizmatike e miqësore, ndërsa pak dihet rreth jetes së tij private. Një dritë të tërthortë mbi këto aspekte duket se ofron libri “APOLLINAIRE Poet Among the Painters”, nga Francis Steegmuller. Nje pjesë e librit mbi poetin e njohur francez Gijom Apolineri i kushtohet edhe Faik Konicës, mik i ngushte i poetit ne fillim te shekullit 20. Pjesa e librit, ku flitet për Konicën, bazohet në kujtimet e vetë poetit, shkruar aty nga viti 1912. Apolineri tregon: “Nga të gjithë njerëzit që kam njohur dhe i kujtoj me kënaqësinë më të madhe, Faik Beg Konica është njëri prej të veçantëve. Ai lindi në Shqipëri, rreth 40 vjet të shkuara (1875) nga një familje që i kishte qëndruar besnike besimit katolik.” Apolineri e cilëson Faikun “katolik”. Duket se arrin vetë në këtë përfundim, ndoshta i nisur nga fakti se gjatë bisedave Konica mund t’i ketë treguar historinë e pushtimit shumë shekullor turk, para të cilit shqiptarët kishin qenë kryesisht të krishterë. “Kjo Shqipe", vazhdon Apolineri, "u rrit në Francë dhe rreth moshës 20 vjeçare ishte mjaft fetar, sa që njëhere kishte shfaqur idenë për të hyrë në Grande-Chartreuse, manastir katolik në veri të Grenobles. Megjithatë, ai nuk hodhi asnjë hap në këtë drejtim. Gradualisht, përkushtimi ndaj fesë u shndërrua jo në indiferentizëm, por në një lloj antiklerizmi si ai i Merimesë.”
“Shqipe” (tekstualisht Chkipe) e quan Apolineri Konicën. Biografi i Apolinerit, Francis Stegmuller, thotë se Apolineri u përpoq ta shkruante fjalën "Chkipe" thjesht për të thënë “shqiptar”. Por Apolineri ndoshta ka dashur të shprehë admirimin e madh për Konicën, duke e quajtur "Chkipe" me kuptimin Shqipojë.
Lidhur me çështjen fetare, miqësia e bashkëpunimi i mëvonshëm me Fan Nolin klerik tregojnë se Konica nuk kishte asgjë kundër fesë si ushqim shpirtëror. Duket se mosdashja e tij drejtohej më tëpër ndaj fesë si insititucion apo si fe-shtet. Apolineri e bën këtë krahasim të Konicës në fushën fetare me Prosper Merimenë (1803-1870, shkrimtar e historian). Por këto dy fugura përkojnë edhe në fusha të tjera. Më 1827, Merime shkroi "Illyrian Ballads, La Guzla". Ai ishte i njohur edhe si linguist, kritik arti e mjaft skrupuloz në përdorimin e fjalëve. Madje, konciziteti i tij në të shkruar i përmendej si legjendë që në të gjallë. Karakteristika të ngjashme vihen re edhe te Konica, si në shkrimet që dallohen nga përzgjedhja e fjalës, ashtu edhe kur kritikonte e satirizonte ata që perdornin "barbarizma" në shkrimet e tyre.
Apolineri tregon: “Faiku vazhdoi studimet, por pasi ishte i mbushur plot dashuri për vendlindjen Shqipëri, u kthye në Turqi, ku u angazhua në veprimtari antiqeveritare, dhe u dënua dy herë me vdekje në mungesë. Ai u kthye përseri në Francë, për gjuhën e letërsinë e së cilës kishte njohuri të shkëlqyera. Në Francë, Faiku krijoi lidhje të ngushta me çdo njeri që kishte të bënte me Shqipërinë. Megjithatë, ai pa se shkalla e lirisë së individit që lejohej në Francë ishte e pamjaftueshme, dhe shkoi në Bruksel, ku në Rue d’Albanie themeloi revistën “Albania”, e cila fillimisht trajtoi çështje politike e pastaj edhe më gjerë, duke përfshirë çeshtjet e letërsisë, historisë e filologjisë. Me këtë, Faiku e rigjallëroi jashtëzakonisht lëvizjen shqiptare. Duke pastruar gjuhën shqipe nga fjalët e huaja e parazitare që kishin vërshuar në të, Konica arriti brenda pak vitesh ta shndërrojë atë nga një dialekt i ngushtë në një gjuhë të bukur, të pasur e mjaft shprehëse”, thote Apolineri. Këtu mund te vihet re shumë mirë ndikimi i Merimesë. Thuajse të gjitha vetitë e tij pasqyrohen edhe te Konica. Nga ky aspekt ndoshta duhet parë edhe krahasmi apo afrimi i këtyre dy figurave.
Apolineri vazhdon: “Megjithatë, liria ashtu siç kuptohej ajo në Bruksel, nuk e kënaqi Faikun më shumë sesa sa liria që kishte provuar në Paris. Një ditë ai e pati punën keq, kur një polic e ndaloi në rrugë. “Nga jeni?”, e pyeti polici. “Albania”, u përgjegj Faiku. “Adresa?”, e pyeti përsëri polici. “Rruga Albania”, ia ktheu Faiku. “Profesioni?” “Redaktor i Albanias”, thotë Faiku. “Po talleni me mua?”, reagoi polici i zemëruar. Dhe patrioti shqiptar e kaloi atë natë në stacionin e policisë, derisa çështja u sqarua." Apolineri tregon se Konica mundohej e shpenzonte shumë për botimin e revistës Albania. “Në kapakun e revistës, si emblemë, ishin armët e mbretërisë së ardhshme të Shqipërisë, krijuar nga një skulptor i talentuar francez, emri të cilit nuk më kujtohet dhe që vdiq rreth vitit 1909 në rrethinat e New Yorkut gjatë një aksidenti me balonë.”
“I ngopur me Brukselin, Faik Beg Konica u nis për në Londër. Ai e braktisi shtypshkronjën e tij të mrekullueshme, e përbërë vetëm nga gërma platini me të cilat ai vetë hartoi dhe shtypi një numër librash të formatit të vogël, libra jashtëzakonisht të rrallë. Kjo veprimtari pati jetë të shkurtër, pasi punëtori i tij i vetëm në shtypshkronjë u tregua i pakujdesshëm dhe pllakat me gërmat e rralla u prishën.” Megjithëse kishte kohë që kishte dëgjuar për të, Apolineri u njoh personalisht me Konicën në Londër në vitin 1903. Faiku banonte në Oakley Crescent, City Road, EC. Apolineri tregon: “Unë nuk e kisha takuar ndonjëherë. Ai më kishte ftuar për të kaluar disa ditë me të, dhe pati premtuar të më priste në stacionin e trenit. Ndonjë shenjë ishte e nevojshme nga mund ta dalloja se ishte ai. U morëm vesh që Faiku të vendoste në jaken e xhaketës një lule. Treni me të cilin po udhëtoja arriti shumë vonë dhe në stacionin Viktoria unë pashë se të gjithë zotërinjtë në platformë mbanin lule në jakat e xhaketave të tyre. Si do ta dalloja unë mikun tim shqiptar?, pyeta veten. Atëhere mora një taksi dhe mbërrita në shtëpinë e Faikut, pikërisht në kohën kur ai po dilte për të blerë lulen.”
Apolineri duket se nuk e njihte mirë “korrektësinë” ballkanase. “Faik Beg Konica kishte pasion klarinetën dhe oboen. Në dhomën e ndenjes kishte një koleksion të vjetër të këtyre instrumenteve. Paradite, ndërsa prisnim të vinte koha e drekes, e cila gjithmonë shtrohej me vonesë, Faiku luante melodi të vjetra, ulur pranë tryezës me sy gjysmë të mbyllur e me pamje mjaft serioze. Dreka ishte “a l’albanise”, me fjalë të tjera, e bollshme e pafund. Çdo dy ditë për ëmbëlsirë kishim qumështor, që unë nuk e pëlqeja aspak. Faiku e donte shumë. Ditët e tjera kishim një lloj keku që unë e pëlqeja shumë. Faiku nuk donte as ta shikonte me sy. Drekat zgjasnin aq shumë, sa unë nuk pata mundësi të vizitoja qoftë edhe një muzeum në Londër – ne arrinim atje pikërisht në kohën kur dyert mbylleshin. Megjithatë, bëmë shetitje të gjata dhe une pata rastin të njihem me intelektin e lartë e të përkryer të Faik Konicës.”
2.
Duket se Apolineri dëgjoi të flitej për herë të parë për Faikun nga Annie Playden, një guvernante angleze, me të cilën kishte rënë në dashuri kur ajo jepte mësime në Paris. Por dashuria nuk ishte e ndërsjelltë, Playden tregohej indiferente ndaj poetit. Gjatë banimit të Konicës në Londër, Annie Playden, e cila ishte kthyer në Londër, takohej shpesh me Konicën. Prej këndej duket se e ka burimin edhe miqësia e Apolinerit me Faikun. Për Konicën duket se kishte respekt të madh edhe familja e zonjushës Playden. Stegmuller thotë se, kur Apolineri shkoi në Londër, zgjodhi të shoqërohej me Faikun për të bërë përshtypje të mirë para familjes së vajzës, që Apolineri kishte rënë në dashuri e donte të martohej.
“Mua më bënte gjithnjë e më shumë përshtypje miqësia që Faiku tregonte për mua. Unë isha në gjendje ta kuptoja se ajo ishte një ndjenjë e pastër që rridhte natyrshëm prej tij. Thuaj si të gjithë shqiptarët me prejardhje nga familje të njohura, Faiku kishte prirjen për t’u pushtuar nga mania e persekutimit, shqetësim i madh deri në dëshpërim. Dhe shqetësimet e tij merrnin forma nga më të çuditëshmet. Pasi blinte diçka në dyqan, Faiku gjithmonë largohej me frikën se shitësi do të vraponte pas tij per ta akuzuar se e kishte vjedhur mallin. “Si do t’ja provoja se nuk e kisha vjedhur?” thoshte gjithmonë Faiku. Kur e takova në Londër, Faik Beg Konica sapo e kishte përmirësuar bibliotekën e tij. Ai i kishte shitur të gjitha librat që kishte patur, dhe i kishte zëvëndësuar ato me botimet anglisht, ku teksti është shtypur me shkronja aq të vogla, sa duhet lente zmadhuese për ta lexuar. Në këtë mënyrë, ai kishte formuar një bibliotekë të re mjaft të plotë dhe që zinte shumë pak vend. Nga librat e tij të vjetër kishte mbajtur vetëm dy fjalorë me autorë
Bejl dhe Darmesteter. Faiku e konsideronte Bejlin mësuesin e tij. Admirimin më të madh në letërsi Faiku e kishte për M. Remy de Gourmont dhe më vonë, kur gjeta një portret të shkrimtarit e ia dërgova, ai më shprehu një mirënjohje mjaft të madhe. Faik Beg Konica, ashtu si edhe Bejli, kishte një pasion të madh për pseudonimet. Ai i ndryshonte ato shumë shpesh. Në kohën kur e njoha, ai e quante veten Thrank-Spirobeg, nga emri i heroit të një romani historik të shkrimtarit Leon Cahun, në vetvete një kryevepër dhe libri më i mirë në anglisht i frymëzuar nga historia shqiptare.”
Ndoshta ishte ky libër që e nxiti dhe frymëzoi Konicën për të shkruar pas disa vitesh librin e tij "Albania: the Rock Garden of Southeastern Europe". Me pseudonimin Thrank-Spirobeg, Konica shkroi edhe dy artikuj në të permuajshmen kritiko-letrare franceze “Le Festin d’Esope”. Revista pati një jetë të shkurtër,
botimi i saj filloi në shtator të vitit 1903 dhe u ndërpre (pas 9 numrash) në gusht 1904. Biografi i Apolinerit, Francis Stegmuller, thotë se artikujt e nënshkruar nga Thrank-Spirobeg janë: "Outline of a Method of How to Succeed in Winning Applause from the Bourgeois" dhe "The Most Colossal Mystification in the History of the Human Species". Stegmuller nuk flet mbi përmbajtjen e tyre, por thotë se krahas Konicës, në të njëjtin numër te revistes, kishin kontribuar me shkrimet e tyre edhe Henry Vernot, Rudyard Kipling, Andre Salmon, Alfred Jarry, Jean de Gourmont dhe Apolineri. Revista botohej në Paris dhe duket se Konica i shkroi artikujt gjatë periudhës që banonte në Londër, pra mes muajve janar e gusht të vitit 1904.
Apolineri thotë se me pseudonimin Thrank-Spirobeg, Konica shkroi vetëm për dy-tri vjet. Pastaj mori tjetër pseudonim, Pyrrhus Bardyli, me të cilin nënshkroi një libër mjaft të fuqishëm e të shkruar me mjeshtëri: "A Treatise on Artificial Languages".
3.
Gjatë vizitës së tij të dytë në Londër, në muajin maj të vitit 1904, Apolineri qëndroi përsëri ne shtëpinë e mikut të tij shqiptar.
“Në një rast tjetër, unë përsëri kalova një farë kohe në Londër me Faik Beg Konicën, i cili ishte martuar dhe banonte në Chinford. Ishte pranverë dhe ne bëmë shëtitje të gjata e kaluam shumë orë duke parë njerëzit që luanin golf. Pak para arritjes sime në Londër, Faiku kishte blerë disa pula për të patur vezë të freskëta; por ai vuri re se e kishte të pamundur t’i hante vezët. “Si mund të hash vezët e pulave që ti i ushqen vetë?”, pyeste ai. Pulat shpejt filluan të hanin vezët e veta, dhe kjo e tmerroi Faikun deri në atë pikë, sa filloi t’i shihte ato me neveri; ai nuk i la më pulat të dilnin jashtë kotecit, ku ato filluan të hanin njëra-tjetrën, me përjashtim të njërës që mbijetoi. Fitimtare por e vetmuar. Pula ishte bërë si egërsirë: ishte dobësuar dhe, meqë ishte e zezë, shpejt filloi të dukej si një korb; kur unë ika, pula e Faikut kishte humbur edhe puplat dhe ishte transformuar në një lloj miu.”
Ky tregim, në formën e një fabule klasike, shërben si një metaforë e asaj që do t’i ndoshte atdheut të Konicës rreth 40 vjet më vonë. Apolineri vdiq në vitin 1918, Konica më 1942. Asnjëri prej tyre nuk arriti të shihte shpërfytyrimin që njeriu apo një popull mund të pësojë, kur mbahet i mbyllur për një kohë të gjatë në kushtet e izolimit te plotë.
Në përfundim të kujtimeve, Apolineri shkruan: "Kur ndodhi revolucioni Xhonturk në Turqi, Faiku mendoi të kthehej në vendin e tij. Por ngjarjet nuk u zhvilluan siç dëshironte ai dhe, ndërsa kryengritja në Shqipëri sapo kishte filluar, Faik Beg Konica papritur u nis për në Amerikë.”
Shumë pak dihet për jetën intime të Faik Konicës. Apolineri thotë se, kur bëri vizitën e tij në Londër më 1904, Konica ishte i martuar. Por një dritë të zbehtë mund të hedhë edhe një tjetër fakt. Në një intervistë në në vitin 1951, Annie Playden, mikesha e Konices, thotë: “Në maj të vitit 1904, Apolineri erdhi në Londër dhe vazhdonte të ishte shumë këmbëngulës për t’u martuar me mua. Më në fund, për ta hequr qafe, i thashë se më duhej të shkoja në Amerikë, ku më priste i dashuri. Sigurisht kjo ishte një gënjeshtër, por që të mos dukej e tillë, unë shkova në një agjenci punësimi, e cila më gjeti punë si guvernante në Shtetet e Bashkuara.” Ky ishte edhe takimi i fundit i Playdenit me Apolinerin, por jo me Konicën.
Biografi Stegmuller thotë se Konica dhe Anne Playden njiheshin që në fillim të viteve 1900 në Paris. Më 1903, Playden le Parisin e vendoset në Londer. Edhe Konica bën të njëjtën gjë. A ishte kjo një shperngulje e rastësishme, e lidhur me zhvillimet politike, apo dy të rinjtë ndiqnin njëri-tjetrin? Apolineri thotë me 1908 ose-1909, Konica papritur le Londren dhe niset për në Shtetet e Bashkuara, ku Anne Playden ishte vendosur pak kohë më parë. A ishte kjo përsëri një rastësi, apo vazhdimi i historisë së një dashurie? A ishte Apolineri i magjepsur nga intelekti dhe personaliteti i Faikut dhe vendosi të takohej me të, apo ishte natyra e një të riu xheloz, që e shtyu për të parë se çfarë cilësish kishte ky shqiptar që e bënin atë tërheqës për zonjushën Playden dhe familjen e saj?
Sido të ketë qënë, lëvizjet e Konicës nga Parisi në Londër e në SHBA, në fillim të viteve 1900, përkuan më së miri me nevojat që kishte çështja shqiptare e atyre viteve, çështje së cilës Faik Konica iu përkushtua gjatë gjithë jetës së tij.
21 Korrik 2008