BP, 32 miliardë dollarë humbje nga katastrofa e Gjirit
Gjigandi i naftës BP njoftoi të martën humbje rekord, të shkaktuara ngaqë kompanisë i duhet të vërë mënjanë miliarda dollarë për të mbuluar koston e rrjedhjes së naftës në Gjirin e Meksikës. “British Petrolium” zbuloi humbjen më të madhe për tremujorin në historinë britanike të korporatave. Kompania ka vënë mënjanë 32 miliardë dollarë për të mbuluar koston e pastrimit të Gjirit të Meksikës, gjë që i shkaktoi kompanisë një humbje prej 17 miliardë dollarësh për periudhën prill-qershor. BP konfirmoi gjithashtu edhe se shefi i saj ekzekutiv, Tony Hayward, do të largohet. Hayward është përballur me kritika të shumta për mënyrën se si e menaxhoi rrjedhjen e naftës. Lajmi për largimin e pritshëm të zotit Hayward nga BP-ja bëri që vlerat e aksioneve të kompanisë të rriten me gati 5 për qind, deri në mbyllje të bursës ditën e hënë. Hayward do të zëvendësohet në tetor nga Bob Dudley, që është aktualisht drejtor menaxherial i kompanisë. Ai është shtetas amerikan dha ka më shumë se 30 vjet eksperiencë. Ndërkohë është duke u marrë me menaxhimin e situatës në Gjirin e Meksikës dhe sipas deklaratave, kërkon që ta nxjerrë kompaninë nga kriza, duke i ndryshuar edhe imazhin shumë të keq që ka fituar gjatë kësaj kohe.
#