Mbytet adoleshenti i kampingut të kishës
Shndërrohet në tragjedi udhëtimi i disa të rinjve që pushonin në Vlorë të organizuar nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.
Ka qenë ora 12.00 e ditës djeshme, kur të rinjtë laheshin në një nga zonat e plazhit të Zvërnecit, pikërisht në plazhin e Porto Novës. Deti është “egërsuar” papritur dhe ka rrëmbyer katër prej të rinjve. Ata janë përpjekur të dalin në breg, por vetëm tre prej tyre u kanë shpëtuar dallgëve të forta, ndërsa Arben Mestori, 17 vjeç, është mbytur.
NgjarjaNë ishullin e Zvërnecit çdo vit organizohen kampingje për të rinj të ardhur nga i gjithë vendi, të organizuar nga Kisha Ortodokse Autoqefale. Të rinjtë besimtarë jetojnë nëpër çadra dhe disa dhoma, pasi në ishull ndodhen disa ndërtesa që shpeshherë nuk arrijnë të përballojnë kapacitetin e pushuesve. Këtu të rinjtë mësojnë dhe predikojnë çdo ditë, ndërkohë që kryejnë shumë aktivitete argëtuese brenda dhe jashtë ishullit. Mëngjesin e djeshëm, të organizuar me një autobus me targa të Kavajës, të rinjtë janë nisur për të bërë plazh në afërsi të këtij ishulli, ku ndodhet dhe plazhi i Porto Novës. Pasi kanë luajtur dhe janë argëtuar, të rinjtë janë futur në det për t’u freskuar, por moti i keq ka bërë që dallgët të bëhen të forta. Për pasojë, 17-vjeçari Mestori është mbytur, ndërsa një shoku i tij, Durim Berisha nga Kavaja ka qenë në gjendje të rëndë, për shkak të sasisë së ujit që i ishte futur në mushkëri.
PeshkatariPeshkatari Vasil Hyso, dëshmitar okular i ngjarjes, tregon për “Shqip” se të rinjtë janë futur në det dhe kanë qenë duke luajtur me njëri-tjetrin. Dallgët kanë ardhur duke u shtuar dhe në mesditë deti është egërsuar. “Në këtë zonë deti është i keq, pasi ka rryma nënujore që s’të lënë mundësi për të notuar, pasi të mbajnë gjithmonë poshtë. Kur po i shikoja se po përballeshin me dallgët e mëdha dhe me rrymën e fuqishme, mora një varkë dhe u hodha në det për t’i ndihmuar. Tre prej djemve mundën të kapeshin në varkë, kurse i katërti nuk po mundte të dilte nga rryma që e mbante poshtë. Ai doli dhe u zhyt në det disa herë. Me aq fuqi sa kisha munda ta kap dhe të katërtin e ta nxjerrë në breg. Së bashku me disa pushues të tjerë i dhamë ndihmën e parë, u munduam t’i nxjerrim ujin. Me një makinë e nisëm urgjent për në spitalin e Vlorës, por më ka ardhur shumë keq kur mësova se djali 17-vjeçar nga Prespa e Korçës kishte vdekur rrugës pa mundur të mbërrinte pranë mjekëve”, rrëfen peshkatari. Ndërkohë për tre të rinjtë e tjerë që mundën t’i shpëtonin mbytjes, mësohet se ende po trajtohen në spitalin e Vlorës, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Plazhi i bukur i Porta Novës çdo vit ka marrë jetë njerëzish. Një vit më parë, dy vëllezër nga Patosi janë mbytur në këtë plazh.