E Shtunë, 31 Tetor 2026

BP vazhdon “luftën” kundër njollës së naftës

Pas rreth katër javësh, nga Gjiri i Meksikës ku vazhdon të derdhet pa pushim naftë, erdhi një lajm i mirë: koncerni britanik i naftës BP njofton për një sukses të parë të pjesshëm.

Pas disa përpjekjesh të dështuara njoftohet se teknikët ia dolën mbanë që me anë të robotëve nënujorë të fusin në gypat e naftësjellësit, që gjenden në thellësi 1.600 metra, një tub thithës me një diametër prej 15 cm.

Me ndihmën e këtij tubi bëhet e mundur, që të paktën një pjesë e naftës të thithet dhe të depozitohet nëpër anije cisternë, tha një zëdhënës i kompanisë BP.

E paqartë mbetet se sa naftë mund të mblidhet në këtë mënyrë.

Maksimalisht 85 për qind, thotë qendra e emergjencës.

Gjithsesi, sipas mendimit të ekspertëve, do të duhen ende ditë, në mos javë deri sa të çarat në tabanin e detit të mbyllen plotësisht.

Ajo që çudit shumëkënd është që në brigjet e Luizianës, të Misisipit dhe të Alabamës, vazhdon të shihet vetëm pak naftë e përzier me ujin.

Shkakun për këtë biologët e konstatuan vetëm para pak ditësh: nën sipërfaqen e ujit u vunë re sasi të mëdha nafte në formë brezash që kanë një gjatë prej rreth 16 km, një gjerësi prej 6 km dhe një lartësi prej 100 metrash.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›