Tajlandë, vdes strategu i protestave
Shtohet numri i viktimave si pasojë e përleshjeve nëpër rrugët e Bangkokut. Deri në orët e para të mëngjesit të fillimjavës, sipas të dhënave nga burimet spitalore, kanë humbur jetën 36 persona ndërsa besohet se janë plagosur më shumë se 300 të tjerë. Ndër të plagosurit bën pjesë edhe një fotoreporter italian i cili ndodhet në spital. Që prej fillimit të protestave kundër qeverisë në mes të marsit të këtij viti, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në rreth 60. Së fundmi është konfirmuar edhe vdekja e liderit radikal të lëvizjes opozitare, gjeneralmajor Katija Savasdipol. Katija u plagos rëndë të enjten në kokë gjatë protestave. Ndërkaq qeveria tailandeze, e refuzoi kërkesën e re të këmishëkuqve për negociata nën mbikqyrjen e Kombeve të Bashkuara. Tajlanda mund t'i zgjidhë vetë problemet e saj, tha një zëdhënës i qeverisë. Edhe një herë qeveria, i ka bërë thirrje manifestuesve antiqeveritarë që të largojnë gratë dhe fëmijët nga kampi i vendosur në qendrën kryesore të biznesit në kryeqytetin e vendit. Një zedhënës ushtarak tha të dielën se forcat e sigurisë kanë në plan të lejojnë organizata si Kryqi i Kuq në kampin e protestuesve që të ndihmojnë njerëzit të largohen. Luftime të ashpra dhe shpëthime gjemuan natën e mbrëmshme jashtë lagjes së hoteleve luksoze që ndodhen pranë barikadave të kampit të protestuesve. Trazirat antiqeveritare nga protestuesit e opozitës të njohur si Kemishat e Kuqe tani janë përhapur edhe në zona të tjera të kryeqytetit të vendit. Të dielën, qeveria hodhi poshtë thirrjet nga Kemishat e Kuqe për bisedime të ndermjetësuara nga OKB-ja për t'u dhënë fund përleshjeve vdekjeprurëse në Bankok. Me përkeqësimin e situatës në Tajlandë, pas ndërhyrjes së ushtrisë në rrugët e Bankokut, një ndër liderët kryesorë të "Këmishëkuqëve" është shprehur se vendi ndodhet në prag të luftës civile.