BRUKSEL – BE dënon zgjedhjet lokale në Gjeorgji si të njollosura nga shtypja

BRUKSEL, 6 tetor /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian dënoi ashpër zgjedhjet lokale të mbajtura në fundjavë në Gjeorgji.
Votimi i së shtunës u zhvillua “në një periudhë goditjesh të gjera ndaj zërave kritikë”, sipas një deklarate të përbashkët të shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas dhe komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.
Muaj me radhë bastisje ndaj mediave të pavarura, miratimi i ligjeve që synojnë shoqërinë civile, burgosja e kundërshtarëve dhe aktivistëve, si dhe ndryshimet në kodin zgjedhor që favorizojnë partinë në pushtet, e kanë reduktuar ndjeshëm mundësinë për zgjedhje konkurruese.
Një pjesë e madhe e opozitës i bojkotoi këto zgjedhje dhe pjesëmarrja ishte relativisht e ulët.
Përballë mundësisë së protestave të reja masive kundër qeverisë, Kallas dhe Kos bënë thirrje për “qetësi dhe përmbajtje”, duke u kërkuar autoriteteve gjeorgjiane të respektojnë të drejtat e qytetarëve për “tubim dhe shprehje të lire”.
Në kryeqytetin Tbilisi, dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë të shtunën menjëherë pas votimit për të protestuar kundër prirjes gjithnjë e më autoritare të partisë në pushtet “ Georgian Drema” (“Ëndrra Gjeorgjiane”).
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 21 policë dhe 6 protestues u plagosën gjatë përplasjes. Forcat e sigurisë arrestuan disa persona të dyshuar si organizatorë të protestave. Kryeministri Irakli Kobakhidze e përshkroi trazirën si një “tentativë grushti shteti”.
Dje, disa qindra protestues u mblodhën para ndërtesës së parlamentit në Tbilisi, sipas mediave vendase. Deri në mbrëmje nuk u raportuan incidente. Ministria e Brendshme kishte paralajmëruar protestuesit të mos “vazhdonin veprimet” e natës së mëparshme dhe kishte kërcënuar me ndërhyrje forcash.
Gjeorgjia ndodhet në krizë politike që prej zgjedhjeve parlamentare të kontestuara rreth një vit më parë.
Partia “Georgian Dream” e shpalli veten fituese të votimeve, çka bëri që partitë opozitare pro-perëndimore të bojkotonin parlamentin. Kur Kobakhidze më vonë pezulloi qëllimin kushtetues të vendit për integrim në BE, kjo shkaktoi javë të tëra protestash masive në Tbilisi dhe qytete të tjera të vendit. /Ad.Ab./