E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE kërkon marrëveshje të qëndrueshme tregtare me SHBA-në

BRUKSEL, 30 maj /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian ka këmbëngulur që çdo marrëveshje e arritur në mosmarrëveshjen tregtare me qeverinë amerikane të jetë e përhershme.

“Nëse arrijmë një marrëveshje, nuk mund të vendosen tarifa të reja vetëm pak ditë më vonë”, tha Bernd Lange, kryetar i Komitetit të Tregtisë të Parlamentit Evropian.

“Nëse nuk mund të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme, BE është e përgatitur të vendosë kundër-tarifa. Nuk do të lejojmë që të na bëhet presion ose të na shantazhojnë”, tha Lange.

Aktualisht, Lange ndodhet në Uashington për bisedime me qeverinë amerikane.

Të dyja palët kanë kohë deri më 9 korrik për të arritur një marrëveshje. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, presidenti i SHBA-së Donald Trump do të vendosë tarifa të larta për importet e BE-së.

Edhe pse Gjykata Federale e Tregtisë Ndërkombëtare i shpalli – pothuajse të gjitha tarifat e vendosura nga Trump – sipas një ligji të emergjences si të paligjshme – një gjykatë apeli amerikane kohët e fundit e rrëzoi përkohësisht vendimin.

Sipas Lange, ky është një rregullim kalimtar derisa çështja të sqarohet përfundimisht. Ai theksoi se politika doganore ishte një çështje që i përkiste Kongresit Amerikan dhe nuk duhej t’i nënshtrohej “tekave” të presidentit amerikan.

“BE-ja vazhdon të kërkojë një marrëveshje dhe ka ofruar importe më të larta të gazit natyror të lëngshëm dhe gjysmëpërçuesve”, theksoi ai.

Lidhur me çështjen e lëshimeve të mundshme nga ana e Evropës, Lange tha se heqja e disa tarifave dhe njohja reciproke e standardeve mund të jenë pjesë e diskutimeve.

Megjithatë, legjislacioni evropian – për shembull mbi ushqimin, kimikatet ose në sektorin digjital – nuk ishte i negociueshëm.

Ai përmendi si shembull ndalimin e mishit të viçit të trajtuar me hormone. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›