GAZA – 23 të vrarë pas një sulmi izraelit

GAZA, 9 prill /ATSH-DPA/ – Të paktën 23 persona u vranë dhe rreth 50 u plagosën në një sulm ajror izraelit në një ndërtesë banimi në qytetin e Gazës, sipas burimeve palestineze.
Mjekët deklaruan se sulmi i së mërkurës goditi shtëpitë në lagjen ”Shejaiya”, ndërsa ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të të mbijetuarve mes rrënojave.
Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër një anëtar të rangut të lartë të grupit militant palestinez Hamas, i cili kishte planifikuar dhe kryer sulmet.
Para sulmit, ushtria tha se kishte marrë masa për të mbrojtur popullsinë civile, për të cilën Izraeli thotë se po përdoret si mburojë njerëzore nga Hamasi.
Ushtria tha se janë përdorur armë precize.
Ajo nuk bëri asnjë deklaratë në lidhje me viktimat e sulmit.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi gjithashtu viktima të shumta në sulme të tjera izraelite në zona të tjera të Rripit të Gazës, duke përfshirë në Khan Younis në jug./ /os/