E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE ofron 81 milionë euro ndihmë humanitare mes konfliktit të vazhdueshëm në Kongo

BRUKSEL, 17 shkurt /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian do të ofrojë 81,2 milionë euro ndihmë humanitare për njerëzit e prekur nga konflikti i vazhdueshëm në lindje të Republikës Demokratike të Kongos (RDK).

“Civilët në RD të Kongos lindore janë të bllokuar mes plumbave dhe urisë”, tha sot komisionerja e BE-së për Krizat, Hadja Lahbib gjatë një vizite në rajon.

“Familjet po ikin dhe të mbijetuarit e dhunës po përpiqen të gjejnë kujdesin bazë”, tha ajo.

Konflikti në rajonin e pasur me burime – ka vazhduar për më shumë se 30 vjet. Luftimet e ashpra në Kongon lindore shkaktuan sërish zhvendosjen e mijëra njerëzve në dhjetor.

“RDK po përballet me një nga krizat më të rënda humanitare në botë, të nxitura nga konflikti i armatosur i vazhdueshëm, zhvendosja masive, shpërthimet e sëmundjeve dhe varfëria e thellë”, tha komisioni.

“Aktualisht, më shumë se 21 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe gati 28 milionë në rajon janë të prekur nga pasiguria ushqimore”, thuhet në një deklaratë.

Paratë e BE-së kanë për qëllim financimin e ndihmës ushqimore, kujdesit shëndetësor dhe përmirësimin e aksesit në ujë, kanalizime dhe strehim në Kongon lindore, por edhe për të ndihmuar refugjatët kongolezë të zhvendosur në Burundi, Ruandë dhe Tanzani.

Lahbib u bëri thirrje palëve në konflikt që t’u mundësonin agjencive humanitare akses më të mirë në rajon.

“Vetëm paratë nuk do t’i ndalin vuajtjet. Punonjësit e ndihmës duhet të jenë në gjendje të arrijnë njerëzit në mënyrë të sigurt, të shpejtë dhe pa pengesa”, tha Lahbib duke bërë thirrje që të respektohet ligji ndërkombëtar humanitar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›