RUSI – Putini krahason fitoren ndaj nazistëve me luftën në Ukrainë në paradën e Moskës

MOSKË, 9 maj /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin e krahasoi sot luftën e tij në Ukrainë me fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste, ndërsa Moska shënoi 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me një paradë të madhe ushtarake.
“Rusia mbetet një pengesë e pakapërcyeshme për nazizmin, rusofobinë dhe antisemitizmin dhe do të luftojë aktet e kryera nga ndihmësit e këtyre ideve agresive shkatërruese”, tha Putini në fjalimin e tij.
“E vërteta dhe drejtësia janë në anën e Rusisë”, tha presidenti rus, duke shtuar se e gjithë Moska mbështeti luftëtarët në “operacionin special ushtarak” – termi i Kremlinit për pushtimin e vendit fqinj, Ukrainës.
Putini theksoi se ushtarët sovjetikë luajtën një rol vendimtar në mposhtjen e regjimit nazist.
Megjithatë, ai pranoi se hapja e një fronti të dytë në Evropë përshpejtoi fitoren e Aleatëve.
Putini, gjithashtu theksoi kontributin e Kinës në luftë. Mes udhëheqësve ndërkombëtarë në aktivitetin e organizuar në Moskë me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ishte edhe presidenti kinez, Xi Jinping. //a.i/