E Enjte, 5 Nëntor 2026

BRUKSEL – Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s miratojnë planin e ndihmës ushtarake për Ukrainën

BRUKSEL, 14 qershor /ATSH-DPA/- Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s miratuan sot planin e aleancës për të koordinuar ndihmën ushtarake për Ukrainën.

“Ne kemi rënë dakord për një plan që përcakton se si NATO do të udhëheqë koordinimin e ndihmës dhe trajnimit të sigurisë,” tha sot sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp.

Vendet e NATO-s kanë koordinuar mbështetjen për Ukrainën përmes një grupi jozyrtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të quajtur Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës.

Plani i ri do ta zhvendoste atë përgjegjësi në një mision zyrtar të koordinuar nga aleanca – e quajtur “Ndihma dhe Trajnimi për Sigurinë e Ukrainës” (NSATU).

NSATU do të koordinohet zyrtarisht nga NATO për herë të parë.

“NSATU do të jetë me seli në Wiesbaden, Gjermani dhe do të nisë zyrtarisht në një samit të liderëve të NATO-s në Uashington në korrik”, tha Stoltenberg.

NSATU do të përbëhet nga një komandë e NATO-s e vendosur në një strukturë të SHBA-së në Wiesbaden dhe në vendet kryesore logjistike në pjesën lindore të Aleancës.

“Kjo përpjekje pritet të përfshijë rreth 700 ushtarakë të NATO-s dhe vendeve partnere”, tha Stoltenberg.

NATO do të mbikëqyrë trajnimin e forcave të armatosura ukrainase në objektet stërvitore në vendet aleate, do të mbështesë Ukrainën përmes planifikimit dhe koordinimit të donacioneve, do të menaxhojë transferimin dhe riparimin e pajisjeve, do të ofrojë mbështetje për zhvillimin afatgjatë të forcave të armatosura të Ukrainës.

“Ministrat diskutuan gjithashtu nevojën për të forcuar parandalimin ushtarak dhe për të forcuar industritë e tyre të mbrojtjes duke ofruar “kërkesë të qëndrueshme”, tha Stoltenberg. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›