BRUKSEL – Ministrat e NATO-s diskutojnë shpenzimet ushtarake dhe luftën në Ukrainë

BRUKSEL, 13 shkurt /ATSH-DPA/- Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s do të mblidhen sot në Bruksel për të diskutuar rritjen e shpenzimeve ushtarake, zgjerimin e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe luftën në Ukrainë.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, do të marrë pjesë gjithashtu në takim – pasi aleatët evropianë të NATO-s janë nën presion për të rritur në mënyrë drastike shpenzimet e tyre të mbrojtjes.
Presidenti i SHBA-se Donald Trump ka kritikuar prej kohësh atë që ai i quan shpenzimet e ulëta të mbrojtjes në disa vende të NATO-s dhe u ka kërkuar aleatëve të rrisin shpenzimet në 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto (GDP) – më shumë se dyfishi i objektivit aktual.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha dje se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nga të paktën 2% në 5% nuk ishte në tryezën e bisedimeve.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se ai synonte një objektiv të ri në mbi 3%.
Përpara se të bihet dakord potencialisht për një objektiv të ri shpenzimesh në samitin e ardhshëm të NATO-s në qershor në Hagë, po punohet për të përcaktuar objektivat e aftësisë për të synuar investimet e reja.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov pritet të bashkohet me ministrat e NATO-s për të informuar mbi situatën në fushën e betejës.
Interesi i administratës amerikane për ta bërë territorin danez të Groenlandës pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është në agjendën zyrtare, por mund të diskutohet pasi në takim do të përfaqësohet edhe Danimarka anëtare e NATO-s.//a.i/