E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BRUKSEL – NATO do të rrisë praninë në Detin Baltik pas dëmtimit të kabllos elektrike nënujore

RIGË, 27 dhjetor /ATSH-DPA/ – NATO do të forcojë praninë e saj në Detin Baltik pas dëmtimit të kabllos së energjisë nënujore “Estlink 2”, tha sot sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte – pasi bisedoi me presidentin finlandez, Alexander Stubb.

“Shpreha solidaritetin dhe mbështetjen time të plotë”, shkroi kreu i aleancës ushtarake të 32 vendeve në X pas bisedimeve të tyre.

Më herët, ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur tha se vendi i tij do të sigurojë gjithashtu linjën e energjisë “Estlink 1” me anije patrullimi pas dëmtimit të kabllos elektrike në Detin Baltik, ditët e fundit.

“NATO po ndihmon Finlandën dhe Estoninë në hetimet e tyre për një sabotim të mundshëm”, tha një zëdhënës i aleancës.

Fillimisht, nuk u dhanë detaje të mëtejshme. Stubb tha se vendi i tij dhe Estonia i kishin kërkuar NATO-s të rriste praninë e saj në përgjigje të situatës.

Transmetimi i energjisë elektrike përmes “Estlink 2” midis dy shteteve fqinje u ndërpre të mërkurën.

Duke dyshuar për sabotim, autoritetet finlandeze ndaluan anijen-cisternë “Kuk Eagle S”, spiranca e së cilës mund të ishte përdorur për të shkaktuar dëme në kabllo.

Sipas BE-së, anija është pjesë e të ashtuquajturës flotë ruse: që Rusia përdor për të anashkaluar sanksionet ndaj transportit të naftës.

Operatorët e rrjetit, fillimisht vlerësuan se riparimet në kabllon 170 kilometra të gjatë mund të zgjasnin disa muaj.

Megjithatë, autoritetet estoneze dhe finlandeze nuk parashikojnë ndonjë ndikim të madh te konsumatorët.

Së fundmi, u raportuan edhe ndërprerje të tjera në kabllot e komunikimit në Detin Baltik.

Hetimet për ngjarjet janë duke vazhduar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›